MaqedoniTop Lajme

Vazhdojnë protestat e transportuesve privatë në Shkup

Shpërndaje

Protestat e transportuesve privatë me bllokada do të vazhdojnë derisa nuk ka progres në situatën, deklaroi Kemal Muriç nga “Slloboda prevoz”.

Ai shtoi se gjithçka mbetet e njëjtë, gjegjësisht derisa nuk ka ndonjë lëvizje në situatën do të ketë bllokada të disa rrugëve në kryeqytet.

Drejtori i “Makekspres prevoz” Millorad Dimitrijevski dje përmes një kumtese me shkrim tha se ndërmarrja nuk është organizatore e protestave dhe ju bëri thirrje partive politike që të mos i keqpërdorin transportuesit për zënka dhe pikë.

“Makekspres transport” nuk është organizator i protestave dhe nuk e dimë deri kur do të zgjasin protestat, nëse do të zgjerohen në rrugë të tjera dhe në çfarë formati do të protestohet. Apelojmë që partitë politike të mos i keqpërdorin kompaninë dhe transportuesit për zënka dhe pikë politike”, thuhet në kumtesën e Dimitrijevskit.

Autobusët privatë i vazhdojnë protestat e tyre edhe sot duke bllokuar disa nga rrugët kryesore në kryeqytet. Sipas deklaratave të tyre të mëparshme, ata nuk do t’i largojnë autobusët derisa të plotësohen kushtet e parapara për pagesën e borxhit që i kërkojnë nga Qyteti i Shkupit.

Ata kërkojnë nga Qyteti i Shkupit që të shlyhet borxhi për dy kompanitë i cili në tërësi është më shumë se 90 milionë denarë, sepse, siç thonë, nuk kanë mjete për funksionim të mëtutjeshëm për shkak të mungesës së mjeteve.