Rajoni

555 vjetori i Skënderbeut, Osmani: Frymëzimi i çdo shqiptari

Shpërndaje

Me rastin e 555 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ai ka qenë mbrojtësi i paepur i qytetërimit evropian në Adriatik.

Në një postim të saj në Facebook, Osmani ka shkruar se Skënderbeu ka lënë trashëgimi të jashtëzakonshme ushtarake e diplomatike, si dhe është shndërruar në frymëzim për secilin shqiptar, përcjell arbresh.info.

Tutje, e para e vendit theksoi se i përulet veprës dhe heroizmit të tij.

Postimi i plotë i Presidentes Osmani:

555 vjet më parë u përjetësua kryetrimi shqiptar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, mbrojtësi i paepur i qytetërimit evropian në njërën prej portave kryesore të Perëndimit, në Adriatik.

Pas vetes na e la projektin e parë evropian të shqiptarëve dhe një trashëgimi të jashtëzakonshme ushtarake e diplomatike, e cila është shndërruar në model frymëzues për çdo shqiptar.

Me emrin dhe namin e tij lidhet secili projekt shtetëror e politik, me modelin e përbashkimit, të kultivuar me aq mençuri. Me heroin tonë kombëtar lidhet secila përpjekje politike jona për konsolidim kombëtar e secila përpjekje për liri. Ai është frymëzim i përhershëm, është shenjë dalluese e identitetit tonë kombëtar.

I përulemi veprës dhe heroizmit të tij!