Adresimi i Kryeministrit Kurti me rastin e prezantimit të Programit për Pagesa Direkte/Subvencione 2023
Adresimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media, bashkë me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci:
Të nderuar përfaqësues të medieve,
Të dashur qytetarë,
Vitin që sapo e lamë pas, jemi udhëhequr nga parimi se një ekonomi e qëndrueshme do të thotë rritje e prodhimit vendor. Përmes masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, përgjatë gjithë vitit 2022, kemi mbështetur biznese e prodhues vendorë për zgjerimin e kapaciteteve të tyre prodhuese e përpunuese ashtu që të rritet prodhimi vendor, punësimi dhe eksporti.
Këtë parim e kemi ndjekur veçanërisht në bujqësi. Me qëllim nxitjen e prodhimit vendor në sektorin e bujqësisë patëm ndarë mbi 70 milionë euro për mbi 28 mijë fermerë. Kjo përbën përkrahjen më të madhe ndonjëherë nga qeveria për bujqit dhe fermerët.
Brenda vitit ekzekutuam të gjitha pagesat për kategorinë e subvencioneve duke mos iu ngelur borxh bujqve tanë. Kur u ballafaquan me vërshime, u dhamë mbështetje 1017 fermerë nga 22 komuna të cilët përfituan nga kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore deri në 82% të vlerës së dëmit të shkaktuar. Në vitin 2020 ishin kompensuar vetëm për 30% të vlerës së dëmit.
Si rezultat, kishim më shumë sipërfaqe të mbjella me kultura bujqësore, sidomos me drithëra dhe me misër. Gjithashtu, eksporti i produkteve bujqësore dhe ushqimore u rrit për 44. Pra, më shumë prodhim. Më shumë eksport. Më shumë zhvillim. Më shumë punësim. Më shumë progres.
E megjithëkëtë, siç kemi thënë edhe më parë, në fund arritjet tona gjithmonë do t’i masim e do t’i krahasojmë me synimet dhe potencialin tonë, në vend se me të tjerët e nga e kaluara.
Startin për këtë vit tashmë e kemi shumë të mirë. Buxheti për bujqësi për vitin 2023 për herë të parë do të arrijë shifrën 87 milionë euro. Bashkë me mbështetjen nga fondet e jashtme, pritet ta tejkalojë vlerën prej 100 milionë euro.
Garën me veten në fushën e Bujqësisë po e rifillojmë sot. Vetëm në ditën e gjashtë të vitit, si asnjëherë më parë, së bashku me Ministrin Faton Peci po shpalosim para jush Programin për Pagesa Direkte – 2023.
Ky program, në krahasim me atë të vitit 2022, mes tjerash ka disa risi të cilët ne jemi të bindur që do të kontribuojmë në sektorin e bujqësisë dhe forcimit ekonomik të bujqve tanë.
Për detaje Programin për Pagesa Direkte – Subvencione – 2023, fjalën po ia kaloj Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci.