Ahmeti: 20 vjet nuk e kanë mposhtur BDI-në, të gjithë nga pak të mposhtim krenarinë!
Kreu i BDI-së. Ali Ahmeti sot tha se shumica parlamentare është stabile, përcjell TV21. Duke komentuar deklaratat e mbrëmshme të kreut të ASH-së Arben Taravari i cili në Click Plus tha se ka gjasa që të bëhen pjesë e Qeverisë, Ahmeti tha se po tentohet të krijohet një Aleancë për Evropën e Bashkuar.
“Mendoj se shumica parlamentare është stabile mirëpo ka një qasje pak sa më të përpunuar më të avancuar për një Aleancë për Evropën e Bashkuar dhe ta shohim sa do të na funksionojë dhe do ta realizojmë këtë filozofi”, tha mes tjerash Ahmeti.
I pyetur nëse BDI po tenton ta fus ASH-në në Qeveri pas përçarjeve brenda në BDI, Ahmeti tha se ky proces nuk ka të bëjë me ngjarjet e fundit në BDI.
“Nuk ka të bëjë këtu me frikë të BDI-së, BDI pa diskutim është fitues i zgjedhjeve, mjaft e ka këto 20 vite kanë provuar ta fitojnë BDI-në, nuk e kanë fituar. Tani të reflektojmë dhe të gjithë nga pak të mposhtim krenarinë dhe të shohim se si do ta ndërtojmë një front për të përshpejtuar rrugën drejt BE-së. Dhe nëse ka të drejtë morale dhe kombëtare dikush që ta marrë këtë nismë, kam unë personalisht Ali Ahmeti, që t’i ftojë të gjithë të ulemi, t’i them hajdeni sepse ky është momenti më i rëndësishëm për të avancuar çështjet tona”, tha Ahmeti.