Nga 1 janari do të ketë ulje të çmimit të energjisë elektrike, por vetëm për ata që janë në bllokun e parë

Shpërndaje

Çmimeve të reja të rrymës nga 1 janari do tu gëzohen ata që kursejnë më shumë. Kjo pasi që në bllok tarifën e parë çmimi do të ulet për 5,16%, kurse në bllok tarifën e dytë do të mbetet i pandryshueshëm. Por nga Viti i Ri, më shtrenjtë do të paguajnë ata që shpenzojnë më shumë energji elektrike, përkatësisht konsumatorët që janë në bllokun e tretë me rritje 2,88% dhe në bllokun e katërt me rritje prej 1,86%.

ÇMIMET E ENERGJISË ELEKTRIKE
Blloku 1 – çmimi vjetër 6,8 den/kwh – çmimi i ri 6,5 denarë
Blloku 2 – çmimi vjetër 7,5 den/kwh – çmimi i ri 7,5 denarë
Blloku 3 – çmimi vjetër 8,9 den/kwh – çmimi i ri 9,2 denarë
Blloku 4 – çmimi vjetër 19,3 den/kwh – çmimi i ri 19,6 denarë

Sipas Komisionit Rregullator të Energjetikës, rreth 80% të orëmatësve të amvisërisë janë konfiguruar dhe aktualisht llogarisin tarifën e lirë ditore prej ora 13 deri në 15. Gjithashtu tarifa e lirë do të mbetet me çmim të njëjtë me 4 denarë për kilovat orë.

Nga KRRE-ja thonë se tatimi i rrjetit të shpërndarjes ulet për rreth 23%, kurse njëkohësisht shtohet një tatim shtesë për qasje në rrjet, prej 200 denarëve, e cila do tu faturohet të gjithë konsumatorëve prej 1 Janarit.

“Për shkak të vendosjes së tarifës për qasja në rrjet, pagesa shtesë është 200 denarë, por çmimi që përmendëm është shuma e çmimit të energjisë, plus tarifa e rrjetit, e cila është zvogëluar për 23%. Te këto ulet çmimi i rrjetit dhe për të mos përkeqësuar gjendjen financiare nëpër Komuna, në pagesën e ndriçimit publik, sepse aty kemi matje vetëm çmimin e konsumit të rrymës është shtuar kjo tarifë e re”, deklaroi Marko Bislimovski, Kryetar i KRRE-së.

Sipas autoriteteve shpenzimi i përgjithshëm i energjisë elektrike në vend është ulur si rezultat i vendosjes së fotovoltaikëve nëpër shtëpitë e konsumatorëve dhe objektet e kompanive. Dhe sipas ekonomisë së tregut çmimi i rrymës nga 1 Janari është dashur të rritet në të gjitha bllok tarifat, por këto korrigjime, sipas tyre, janë bërë për çështje sociale dhe për t’ju përshtatur standardit të jetesës së qytetarëve.

“Është i vonuar vendimi i KRRE-së dhe i institucioneve të tjera që mund të ndikonin në energjetikë, sepse kemi konsumatorë aktiv por edhe pasiv të energjisë elektrike. Kemi mërgimtarët që në vendin tonë kanë nga dy-tri banesa, por edhe rezidentët që kanë vikend shtëpiza kur të shkojnë fundjavave kanë qasje në energji elektrike, por shpenzimet për rrjetin shpërndarës i paguajnë konsumatorët aktiv që shpenzojnë rrymë në bazë ditore”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Nga kompania shpërndarëse EVN kanë kërkuar që si humbje në rrjet të rrymës për vitin 2023 tu llogariten 860 milion kw/h, por nga KRRE-ja janë pranuar vetëm 785 milion kw/h, që nënkupton se 75 milion kw/h e kontestuar që në tregun energjetik arrijnë koston 8 milion euro nuk do tu faturohen konsumatorëve. Nga EVN thonë se diferenca e rrymës së humbur në rrjet do të mbetet në harxhimet e EVN Maqedoni. /Alsat.mk