Ahmeti: Shqiptarët nuk janë qiraxhinjë në Maqedoninë e Veriut

Shpërndaje

Kanë vazhduar takimet e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti me strukturat e qytetarët e Gostivarit. Në ditën e tretë të takimeve nën moton “Bashkë për Evropë”, Ahmeti ka folur për takimin e partive politike për të diskutuar lidhur me proceset në vend dhe mundësitë që duhet të krijohen për të përshpejtuar rrugën drejtë BE-së.

“Njëri nga pjesëmarrësit aty, me ca ligjërata arkaike tha se duhet parë statusi I shqiptarëve në RMV sepse shqiptarët janë tepër të avancuar dhe komunitetet tjera janë nivele më të ulëta. Me thënë të drejtën më gërvishti, në të kaluarën e dhimbshme të shqiptarëve dhe historisë tonë. Më bëri përshtypje se si nuk mësuan këto nga e kaluara. Qoftë subjekt, ose komunitet, nëse nuk nxjerr mësim nga e kaluara nuk ka të ardhme. Iu drejtova kështu: ne shqiptarët kemi rilindasin Gjergj Fishta, i cili thotë se vërtet kemi bajram e pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë. Ne vërtet kemi gjuhë e kulturë të ndarë, por Maqedoninë e kemi bashkë. E për këtë ne punojmë, dashuria ndaj vendit nuk matet me kilogramë. Duhet të përcaktohemi a jemi me Moskën ose Brukselin. Jemi tek e kaluara apo tek e ardhmja. E ardhmja jonë nuk ka alternativë tjetër përpos integrimit në BE. Për ne është shumë e rëndësishme stabiliteti, mendoj për këto vite që jemi kontribuues, jemi për forcim të stabilitetit, pavarësisht faktit se disa parti maqedonase nuk investojnë shumë për ti bindur qytetarët se ky shtet është i yni e përbashkët. Por ata ju thonë, shqiptarët na e morën shtetin, ku do ta çojmë ne atë. Ne nuk ndryshojmë kufij, por ama nuk jemi edhe qiraxhinj, ta harrojnë ata. Nuk punojmë për atë që s’na takon, por ama shteti nuk mund të jetë vetëm i njërës palë. Le ta harrojnë, nuk ka më mbivotime, e diskriminime mbi baza etnike, mirëpo edhe shumë punë kemi për të bërë. Jo rastësisht kërkojmë veting, duke filluar nga politikanët. Nuk kemi nguruar të themi, le të fillojë nga kreu i BDI-së, sepse përpjekjet e vazhdueshme duhet bëhen, lufta kundër krimit dhe korrupsionit është obligim. A do të pasurohet BE-ja me thesaret e puset e naftës, jo. Të izoluar e të vetmuar nuk mudemi t’i bëjmë e realizojmë qëllimet madhore në drejtim të rritjes së standardit. Iku koha e patriotizmave, iku koha e ndarjeve, blloqeve, luftërave ndër-fetare, jemi pjesë e Evropës, ne jemi Evropë. Deri në luftën e dytë botërore, luftërat kanë qenë fetare, ne kemi pësuar shumë. Tash ta shohim me syrin e së ardhmes se si të veprojmë. Popujve u duhet pajtimi, vëllezër e motra, hasmi o falet o vritet, nëse nuk e fal, vrite por jo var e pa rrjepë, Ballkanit Perendimor i duhet pajtimi.

Foli edhe për hapjen e negociatave.

“Kjo do të ndodhë, edhe atë do të ndodhë sikur dita e sotme. Kishte skepticizëm edhe për anëtarësim në NATO, po edhe për Marrëveshjen e Ohrit. Për vlerat që duam t’i ndërtojmë të mos i kërkojmë fajtorët tek të tjerët, por t’i kërkojmë tek ne, ata i kemi, nga Struga deri në Likovë. Rrugët, komunat e infrastrukturën duhet ne ta bëjmë, të mirat duhet t’i instalojmë vetë. Ka legjenda e përralla që dëgjohen, në mesin e tyre ka edhe të vërteta. Krijimi i shumicës, LSDM-VMRO është e papranueshme dhe nuk do të ndodhë sepse luftërat që deri para 20 vitesh pikërisht janë shkaktuar nga pabarazia mes etnive. Mund dhe ka forca që mendojnë këtë, por në këtë vend ka edhe forca progresive. LSDM-ja është në krye të detyrës, nuk ka shumicë të re, pavarësisht të ndonjë akrobati për shumicë të re, ju them se koalicioni funksionon dhe është stabil, dhe zgjedhje do të ketë në 2024, o do jenë bashkë me ato presidenciale, o pas atyre. Të mos bëjmë shpenzime, t’i mbajmë edhe zgjedhjet presidenciale edhe parlamentare. Kemi fituar për 20 vite dhe do të vazhdojmë, sepse punët e mëdha duan mbështetje të fortë e gjithë popullore. Unë nuk do isha I fortë pa shumë shokë, këto suksese janë të përbashkëta dhe bashkë ti shtyjmë nuk e kemi lehtë, ka filluar skriningu, përfundon në nëntor, thirret mbledhja e përbashkët me qeverinë e Evropës, deri në atë periudhë ne duhet ta ndryshojmë kushtetutën, Partitë politike duhet tu japin zemër qytetarëve, Maqedonia dhe maqedonasit do të legjitimohen dhe ne na kanë aleatë dhe asnjëherë humbës nuk do jemi. Na keni pas gjithnjë krah”, tha Ali Ahmeti.