Maqedoni

Djegia e modularit në Tetovë, dëshmitarët: Zjarri u përhap për 10-15 sekonda

Shpërndaje

Zjarri në spitalin modular në Tetovë, u përhap shumë shpejtë, për 10 deri 15 sekonda. Kështu e nisi dëshminë e tij në gjykimin për modularin mjeku Mustafa Tahiri i cili natën e tragjedisë ishte kujdestar. Para trupit gjykues ai tregoi se si kishte tentuar që me batanije t’i shpëtojë pacientët.

“Isha në ndërrim kur ndodhi ngjarja. Zjarri fillimisht u përhap në dhomën 3 pasi bëmë reanimacionin e njërit nga pacientët. Fillimisht hodha një batanije të pacientëve përmbi zjarr por nuk shuhej. Dola të kërkoj kovë me ujë por nuk gjeta. Shkova deri te Klinika Infektive të kërkojë ndihmë por derisa u ktheva i tërë objekti kishte marrë flakë. Nuk mbaj mend nëse ka pasur aparat kundër zjarrit por sikur edhe në duar ta kisha nuk di nëse do mundesha të ndihmoj nga hutia pasi situata ishte tejet shokuese”, tha Mustafa Tahiri, mjek.

Edhe mjekja tjetër kujdestare Shpenza Arifi tha se me shpejtësi kërkoi nga motrat aparatin për të shuar zjarrin por nuk kanë arritur ta gjejnë.

“Kërkova nga motrat aparat kundër zjarrit por nuk gjetën. Provova të marr shishe me ujë nga banja për të ndihmuar shuarjen e zjarrit. Sa i përket vizitorëve, ne i kemi informuar se nuk lejohet hyrja megjithatë puna jonë është të trajtojmë pacientë”, u shpreh Shpenza Arifi, mjeke.

Në dëshmitë e tyre, familjarët thanë se nuk janë penguar që të qëndrojnë brenda modularit për tu kujdesur për të afërmit.

“Kam qëndruar me burrin 28 ditë me radhë në Spitalin Modular. Askush nuk më ka ndaluar të hyjë e të qëndrojë pranë bashkëshortit. Në momentin kur pash zjarrin të përhapej u afrova ta shpëtoj burrin por vetëm e hoqa nga krevati dhe e lëshova për tokë, ndërsa unë shkoqa rrjetin e dritares dhe kërceva duke marrë lëndime në këmbë, por shpëtova. Derisa unë kam qëndruar në Spitalin Modular gjithë kohës ka pasur familjarë të pacientëve tjerë”, u shpreh një dëshmitare.

“Secili familjarë ka qëndruar afër në dhomë. Unë me nënë time kam qëndruar 28 ditë. Prej me 14.07 deri me datën 08/ natën kur ndodhi zjarri. Në familjarët e kemi pas patjetër të qëndrojmë aty sepse nuk ka pasur shërbim, ekip mjekësor. 3 motra ka pas ndërsa 6 dhoma me nga 6 pacientë 36 pacientë dhe ato kanë pasur nevojë çdo sekondë për ndihmën tonë. Do zbardhet kjo, besoj se jemi në rrugën e duhur”, tha Mumin Ismaili, familjar i viktimës.

Seanca e radhës për Spitalin Modular u caktuar për më 16 shkurt, ku do të vazhdohet me dëshmitë e disa prej dëshmitarëve të cilët nuk ishin sot prezent. Zjarri në spitalin modular ku trajtoheshin pacientë me koronavirus ka shkaktuar vdekjen e 14 personave. Në mesin e viktimave ka pasur pacientë të infektuar dhe familjarë që kujdeseshin për ta. /Alsat.mk