Dy javë qëndroi në hotel në Prizren, 16-vjeçari në fund s’pagoi asnjë cent

Shpërndaje

Të martën, një 16-vjeçar është arrestuar në Prizren nën dyshimin se ka mashtruar pronarin e një hoteli, duke mos paguar qëndrimin në të. Vlera e dëmit është 1,600 euro.

Sipas Albert Gjonajt, pronar i hotelit i cili gjendet në qendër të Prizrenit, i dyshuari ka qëndruar për dy javë të plota në një nga dhomat më të mira të hotelit.

I riu ka ngrënë e ka pirë dhe madje ka marrë para kesh nga pronari, e në fund ka ikur pa paguar.

“Ai zotëria ka hongër pica, edhe ato pica të shtrenjta jo të thjeshta. Ai i hajke picat, na pagujshim. Mas picave, u dashke me i qu redbull-a t’ftoftë për me shpërla gojën se i jetke keq. Ai ha, na paguj“, tha Gjonaj në Klan Kosova.

I riu po ashtu kishte shfrytëzuar tre telefona duke i shkruar mesazh pronarit e duke i thënë kinse daja i tij që do të vinte në pushim do të paguante për të.

Pas katër muajve kërkim, policia e ka kapur të dyshuarin. Të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit 48 orë.