Escobar: Kosova ka mbështetjen e SHBA-së, do të arrijmë atë që duam në dialog
I dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, beson se qëllimi mund të arrihet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se ka parë reagime pozitive ndaj propozimit aktual të bashkësisë ndërkombëtare nga të dyja palët, shkruan gazeta kroate Vijesti.
Gjatë vizitës së tij në Kroaci, Escobar vuri në dukje se nuk i përshtatet Evropës të mbajë një konflikt të ngrirë brenda kufijve të saj.
“Ne jemi ende në fillim. Por unë shoh disa reagime pozitive nga të dyja kryeqytetet. Realiteti është se në krizën aktuale nuk është një ide e mirë që Evropa të mbajë një konflikt të ngrirë brenda kufijve të saj. Ne po e përdorim këtë propozim si një platformë për të gjetur një zgjidhje që do të funksiononte për të dy vendet. Dhe këto janë zgjidhje që hapin rrugën euroatlantike, mbrojnë komunitetet pakicë dhe hapin vërtet mundësi për lidhje ekonomike. Dhe kjo është arsyeja pse unë mendoj se ka arsye për optimizëm”, tha ai.
Duke folur për reagimet e Prishtinës zyrtare për propozimin për marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai tha se edhe politikanët në Prishtinë kanë shqetësime, por ka shprehur shpresën se do të arrihet një marrëveshje.
Ai ka shtuar se Kosova e ka mbështetjen e plotë të SHBA-së.
“Ata kanë shqetësimet e tyre. Mendoj se kemi ende punë për të bërë, por besoj se do t’ia arrijmë qëllimit. Kosova ka mbështetjen e plotë të SHBA-ve, është një partner i mirë dhe nuk shoh asnjë dyshim. Unë mendoj se do të arrijmë atë që duam”, tha Escobar.