RajoniTop Lajme

Ish-ambasadori William Walker nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” (Video)

Shpërndaje

William Walker, ish-shefit të misionit të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, i është ndarë sot titulli “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Haxhi Zeka”në Pejë.

Vetë Walker gjatë fjalës së tij, tha se do donte të fliste për masakrën e Reçakut, por siç tha ai këto fjalë do t’i ruajë për të dielën me 15 janar, ditën kur ka ndodhur masakra më e tmerrshme në fundshekullin e kaluar në Kosovë.

“Dua të falënderoj Universitetin “Haxhi Zeka”, për nderin që më keni bërë mua. Kam dëgjuar shumë për këtë universitet dhe jam krenar që ta marr çmimin sot. Kjo po ndodh sot në Pejë, njëri nga vendet e parapëlqyera në Kosovë. Mendoj që Kurti dhe Pacolli do të donin të kishin lindur këtu. E që nga vizita ime e parë në Kosovë asnjëherë nuk e kam lënë pa e vizituar Pejën”, deklaroi ai.

Ish-ambasadori i OSBE-së, i cili alarmoi botën për atë që kishte ndodhur në Reçak, Walker po ashtu përmendi edhe periudhën e pandemisë, e cila edhe ia pamundësi që të vij në Kosovë për tri vite radhazi.

E rektori i Universitetit “Haxhi Zeka” Armand Krasniqi tha se titulli “Honoris Causa” po i jepet ambasadorit Walker në shenjë nderimi për krejt çka bëri për kauzën e shqiptarëve.

“Sidomos për kontributin e tij në sferën humanitare në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive elementare të njeriut e në veçanti për denoncimin e gjenocidit serbe ndaj shqiptarëve në Kosove dhe jo vetëm”, deklaroi Krasniqi.

Në ceremoninë e ndarjes së këtij titulli ishte i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe përfaqësues të tjerë nga jeta politike, akademike e shoqëria civile.

“Një mik i mirë mund të jetë shpëtimi i nevojshëm…Sot jemi mbledhur pikërisht për të nderuar një mik të madh të Kosovës dhe të popullit të saj, diplomatin amerikan, William Walker, i cili është me të vërtetë një mik i popullit të Kosovës sepse mes njerëzve të vendit tone, janë të paktë qytetarët e huaj që janë kaq gjerësisht të njohur e kaq unanimisht të vlerësuar sikurse Walker”, deklaroi kryeministri Kurti.

Kryeministri kujtoi periudhën kur e ka takuar për herë të parë në kohën e luftës në Prishtinë. “Në këtë pikë dua të them veçanërisht se ambasadori Walker është edhe miku im që nga koha e luftës kur jemi takuar për here të parë dhe jemi njohur në Prishtinë e deri më sot, ku po ritakohemi sërish në Pejë”, tha ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka ndarë 70 mijë euro për promovimin e librit “Reçaku” të ish-ambasadorit Walker.

VIDEO NGA UNIVERSITETI HAXHI ZEKA NE PEJE: KETU