MaqedoniTop Lajme

Koncepti i ri strategjik i SHBA-Karta e Adriatikut për dekadën e ardhshme

Shpërndaje

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në takim pune me ambasadorët e vendeve anëtare dhe vëzhguesit e SHBA-së – Karta e Adriatikut (A5), prezantoi prioritetet dhe qëllimet e kryesimit të Kartës nga Maqedonia e Veriut në vitin 2023.

Në prezantimin e tij, Osmani theksoi se presidenca jonë përkon me shënimin e 20 vjetorit të themelimit të A5, e cila ka përmbushur qëllimin fillestar për të cilin është themeluar, pra katër vendet anëtare të Kartës (Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi), sot janë anëtarë të NATO-s.

Ministri Osmani dhe ambasadorja e SHBA-së, Angela Ageler, mbajtën një konferencë të përbashkët për media, pas takimit të punës me ambasadorët e Kartës.

“Një nga sfidat më të mëdha është ambicia që ne i kemi vënë vetes si kryesues aktualë është krijimi i një Koncepti të ri Strategjik të A5 që duhet të pasqyrojë rolin e organizatës në dekadën e ardhshme” – theksoi Osmani

Ambasadorja Ageler përgëzoi ministrin Osmani dhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për kryesimin e SHBA-Kartës së Adriatikut dhe OSBE-së. “Maqedonia e Veriut merr një rol të jashtëzakonshëm udhëheqës në bashkësinë e kombeve evropiane në një kohë vendimtare. Ne jemi të sigurt në kapacitetin dhe vizionin e Maqedonisë së Veriut, jo vetëm për të përcaktuar rolin e ardhshëm të A5, por edhe për të adresuar çështjet kyçe të sigurisë evropiane gjatë kryesimit të saj me OSBE-në.

Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve me synime të përbashkëta, ambasadorja Ageler tha: “Promovimi i sigurisë dhe stabilitetit evropian nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm se sot. Agresioni ushtarak i paramenduar, i paprovokuar dhe i paligjshëm i Rusisë kundër Ukrainës është një kujtesë për domosdoshmërinë e organizatave si NATO dhe OSBE”.

Osmani nënvizoi se Maqedonia e Veriut tashmë ka ndërmarrë hapa në drejtim të përgatitjes së një Koncepti të ri Strategjik, duke përgatitur një draft dokument me propozime dhe udhëzime specifike mbi të cilat do të bazohej bashkëpunimi i Kartës në dekadën e ardhshme.

“Ky qëllim ambicioz i yni ishte tashmë temë diskutimi gjatë Dialogut Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, i cili u zhvillua në qershor të vitit të kaluar në Uashington. Ne kemi mbështetjen e partnerit tonë strategjik – SHBA-së për të nisur këtë proces, i cili është në funksion të një trajtimi më efikas të vendeve të rajonit me sfidat e sotme. Gjithashtu, krijimi i një Koncepti të ri Strategjik është përfshirë në Planin e Veprimit në kuadër të Dialogut Strategjik me SHBA-në, i cili pritet të miratohet së shpejti në mbledhjen e qeverisë”, – përfundoi Osmani.