“8 deputetë nuk mund të bien nga qielli”, Pendarovski i bindur se VMRO s’do të lëshojë pe për ndryshimet kushtetuese

Shpërndaje

Ndryshimet kushtetuese nuk do të bëhen as pas ardhjes së kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Lajen javën e ardhshme. Për këtë është i bindur kreu i shtetit, Stevo Pendarovski, i cili në Click Plus në TV21 tha se një gjë e tillë nuk mund të pritet duke pasur parasysh qëndrimin e fortë dhe të pandryshuar të opozitares VMRO-DPMNE, se nuk do t’i mbështesin ndryshimet. Deklarata e tij, megjithatë, ndryshon shumë nga bindjet e qeverisë se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin.

“A e dini dallimin mes meje dhe atyre, nuk ka rëndësi emrin dhe mbiemrin e kujt po e përmendni, unë jam realist i mirëinformuar”, tha Stevo Pendarovski, president.

-Dhe nuk do të ndodhin?

“Për këtë periudhë po flisni? Tamam punë. Pra do të ndodhë diçka, një lloj lëvizjeje në parlament. Domethënë, nuk mund të bien nga qielli dhe të tregojnë se 8-9 veta kanë ndërruar anë ndërsa të gjithë ata deri më tani me deklarata te noter pretendojnë se nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese. Dhe unë nuk shoh ndonjë aluzion, qoftë edhe gjysmë publik, që tregon për një epilog të tillë”, theksoi Stevo Pendarovski, president.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani pardje tha se ka ende shpresë se qëndrimi i opozitës do të ndryshojë, por sërish tha se janë duke diskutuar me disa nga deputetët për të mbështetur ndryshimet.

“Historia do t’i gjykojë ata që dëshirojnë ta shpërdorin këtë mundësi për një mandat deputetësh më shumë për ta ose për ndonjë interes partiak. Kjo gjë është shumë më e madhe sesa kalkulimet e tilla. Edhe trajektorja e tretë janë komunikimet që kuptohet që po ndodhin në përpjekje që të arrihet shumicë adekuate për të cilat kuptohet që nuk mundem të flas publikisht”, deklaroi Bujar Osmani, MPJ.

Se do të sigurohet shumica e dy të tretave vazhdimisht pohon edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski.

“Në fund nuk do të lëvdohen deputetët për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Pasi që të sillen ndryshimet kushtetuese, do të mund të hapim të gjithë kapitujt. Ky do të jetë proces i ri dhe imput për shtetin ku do të fillojnë reforma në të gjitha aspektet”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Për deklaratat e opozitës se ata nuk i pranojnë ndryshimet kushtetuese sipas diktatit bullgar, Pendarovski thotë se kjo është ofendim për të gjithë vendet tjera anëtare të BE-së.

“Të quash propozimin francez dhe kornizën formale-juridike europiane për negociata diktat bullgar, i ofendon të gjithë. Së pari francezët, e më pas të gjithë të tjerët. D.m.th. me këtë kornizën europiane që ata e quajnë bullgar diktat u pajtua edhe Franca si kryesuese momentale, Gjermania dhe Holanda, të mos i numërojë të gjithë 27 vendet anëtare, së bashku me Bullgarinë”, tha Stevo Pendarovski, president.

Para pak kohësh presidenti Pendarovski tha se me çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe vazhdimin e procesit eurointegrues duhet t’i lihen përbërjes së ardhshme parlamentare./TV21