SHBA dëbon 12 diplomatë të misionit rus në OKB

Shpërndaje

Dymbëdhjetë anëtarë të misionit diplomatik rus në Kombet e Bashkuara kanë marrë kërkesë për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara deri më 7 mars, për shkak të përfshirjes në aktivitete jodiplomatike.

“Këtyre diplomatëve që u është kërkuar të largohen nga Shtetet e Bashkuara, janë përfshirë në aktivitete që nuk kanë qenë në përputhje me përgjegjësitë dhe obligimet që kanë si diplomatë”, ka thënë zëvendës-ambasadori amerikan, Richard Mills për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pa dhënë hollësi tjera.

Mills ka thënë se atyre u është kërkuar të largohen “në mënyrë që të mos dëmtojnë sigurinë kombëtare të vendit nikoqir”, duke shtuar se vendimi është marrë në përputhje të plotë me marrëveshjet e selisë së OKB-së.

SHBA nuk e ka lidhur drejtpërdrejt dëbimin me pushtimin në Ukrainë, mirëpo zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, ka thënë se Uashingtoni do të flasë më shumë për dëbimet së shpejti.

Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia e ka quajtur këtë vendim si “shkelje” të marrëveshjes së OKB-së me SHBA-në si shtet nikoqir i Kombeve të Bashkuara.

Ky vendim është bërë i ditur në ditën e njëjtë kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka nisur një debat të jashtëzakonshëm për rezolutën ndaj “agresionit” të Moskës në Ukrainë.

“Luftimet në Ukrainë duhet të ndalen”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

“Mjaft është mjaft. Ushtarët duhet të kthehen në barakat e tyre. Liderët duhet të drejtohen nga paqja. Civilët duhet të mbrohen”, ka thënë Guterres.

Përfaqësues të më shumë se 100 shteteve pritet të flasin teksa ky institucion global debaton për rezolutën, e cila i kërkon Rusisë të tërheqë menjëherë trupat nga Ukraina.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL