Qeveria njofton ulje pagash për punonjësit në disa institucione shtetërore

Shpërndaje

Institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike si dhe shoqëritë aksionare në pronësi të shtetit, menaxher të të cilëve kanë paga shumë të larta do t’u shkurtohen për 10%, si masë anti krizë thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Numri “një” i ekzekutivit, Dimitar Kovaçevski, tha se deri në fund të muajit do të hartojnë listën se në cilët sektorë do të bëhen shkurtimet e pagave, masë e cila pritet të kursej 3 miliardë denarë për një vit. Këto para do të vihen në pakon e re të ndihmave për kategoritë në nevojë dhe pensionistët, tha Kovaçevski.

“Ekzistojnë ndërmarrje publike dhe institucione shtetërore që shkaktojnë humbje, të cilat duhet të mbulohen nga buxheti i shtetit andaj vlerësuam se ekipet menaxheriale të atyre ndërmarrjeve dhe institucioneve duhet të jenë në nivel të lartë të përgjegjësisë për t’i ulur shpenzimet gjatë punës së tyre dhe t’i rrisin të ardhurat e atyre kompanive që i udhëheqin. Një nga mënyrat e uljes së shpenzimeve atje ku ka paga, që janë shumë lartë nga mesatarja, vlerësojmë se në kushte të këtilla krize duhet të zvogëlohen”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër i RMV-së.