Rajoni

Kurti vizitoi familjet e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës

Shpërndaje

Në 39- vjetorin e rënies së Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, në kujtim dhe nderim të veprimtarisë së tyre, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi familjet Malaj dhe Berisha.

Mes familjarëve të tyre u përkujtua jeta plot aktivizëm politik e Rexhepit dhe Nuhiut, të rënë dëshmorë në natën mes 11 dhe 12 janarit 1984, duke luftuar me policët e Serbisë që i kishin rrethuar në një bazë ilegale në Prishtinë, në lagjen që pas asaj nate do të quhej Kodra e Trimave.

Postimi i plotë:

“Rashë në sy që nga bankat e shkollës fillore si liridashës, sepse e doja popullin tim, historinë e tij të lavdishme, sepse e doja Kosovën time dhe e simpatizoja me gjithë shpirt Shqipërinë. Dhe, mjaftoi kjo që të më fusnin në burg.” – Kështu ka shkruar në ditarin e burgut Rexhep Malaj, aktivisti politik që me angazhimin e tij u bë edhe vetë pjesë si emër i përveçëm mes shokësh në historisë moderne të Kosovës.

Kanë kaluar 39 vite që nga vrasja e Rexhep Malajt, i cili në natën mes 11 dhe 12 janarit 1984, rezistoi bashkë me Nuhi Berishën, duke luftuar me policët e Serbisë që i kishin rrethuar në një bazë ilegale në Prishtinë, në lagjen që pas asaj nate do të quhej Kodra e Trimave.

Sot isha për vizitë në familjen e Rexhep Malajt dhe në familjen e Nuhi Berishës, për ta nderuar dhe kujtuar veprimtarinë e Rexhepit dhe Nuhiut mes familjarëve të tyre, në këtë përvjetor të 39-të të rënies së tyre dëshmorë, më 12 janar 1984.

I lindur më 1951 në Hogosht të Kamenicës, Rexhep Malaj e nisi aktivitetin e tij politik qysh si gjimnazist, duke marrë pjesë në demonstratat e vitit 1968, për të vazhduar me angazhime dhe veprimtari ilegale, derisa u burgos me grupin e Adem Demaçit më 1974 dhe u dënua me 9 vite burgim. Pasi e vuajti dënimin e përcjellur me tortura në disa burgje nëpër ish Jugosllavi, me t’u liruar më 23 maj 1983, Rexhep Malaj e vazhdoi aktivitetin e tij ilegal politik. Mes shokësh, bashkë me të ishte edhe Nuhi Berisha nga Svirca e Kamenicës, që ndonëse dhjetë vite më i ri se Rexhepi, si student i ishte bashkuar Komitetit të Studentëve në kuadër të Grupit Revolucionar. Nata e 11 janarit e vitit 1984, Rexhepin dhe Nuhiun i gjeti bashkë në një bazë ilegale në Prishtinë, si dy shokë aktivistë që pasi i rezistuan aksionit të policisë së Serbisë, mëngjesi i 12 janarit i çeli të përjetësuar si dëshmorë.

Lavdi jetës plot aktivizëm politik të veprimtarëve Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, të rënë dëshmorë në përpjekjen e gjatë të shqiptarëve për çlirim nga regjimi shtypës dhe i dhunshëm i Serbisë, që e mbajti Kosovën të pushtuar nën Jugosllavi, deri më 1999!