Maqedoni

Kush do të përgjigjet për vonesat në rastin “Alfa”? Këshilli Gjyqësor po vazhdon hetimet

Shpërndaje

A do të kërkohet përgjegjësi për gjykatësin Zoran Dimitrievski i cili sipas raportit të Këshillit Gjyqësor ka lejuar zvarritjen e procedurës penale mbi ankesën e të dënuarit Almir Derplanin në rastin “Alfa”? Kjo zvarritje thuajse 2 vjet po e pengon Penalen në marrjen e vendimit për rigjykim eventual të rastit për të dënuarin Agim Islami. Ndonëse Derplanin dhe Islami janë gjykuar dhe dënuar ndarazi, vendimi i Gjykatës së Apelit po i lidh fatet e të dyve. Nga Këshilli Gjyqësor thonë se në raport është konstatuar vetëm gjendja faktike me lëndët, ndërsa për përgjegjësi do të vendoset më vonë.

“Tani po hyjmë në një fazë të re që nënkupton konfidencialitetin dhe mbrojtjen e integritetit të gjyqtarëve. Këshilli Gjyqësor do të vazhdojë të punojë në këto raste për të përcaktuar nëse dikush është përgjegjës apo jo në mënyrë që në të ardhmen të ndërmarrin veprime të tjera ligjore”, thonë nga Këshilli Gjyqësor.

Ende mbetet pikëpyetje nëse zvarritja e rastit është bërë me qëllim apo nga papërgjegjësia. Sipas anëtarit të Këshillit Gjyqësor, Sasho Gjorgjievski, vonesat e tilla janë të pa tolerueshme!

“Paramendoni, në vitin 2019 kemi aktgjykim të shkallës së parë. Ja këtu është 22.10.2019. Viti 2020, 2021, 2022! Çka duhet të komentojmë pas gjithë kësaj, 3 vite nuk kemi aktvendim. Nuk kemi vendim për 3 vite. Nëse kjo e dhënë është e saktë, kjo për mua është e pa tolerueshme”, pohoi Sasho Gjorgjievski, anëtarë i Këshillit Gjyqësor (11.01.2023).

Ndërkaq shkarkimi i gjykatësve të cilët nuk kanë kryer punën e tyre në mënyrë profesionale dhe të kujdesshme është vetëm njëra nga shumë kompetencat tjera që ka Këshilli gjyqësor. Në kompetenca e tyrë është edhe të zgjedhë dhe të shkarkojë gjykatësit.

Këshilli Gjyqësor rastin “Alfa” e kualifikoi si lëndë me interes të lartë publik për të cilën Apeli duhet veprojë në përputhje me ligjin dhe duke mos guxuar të zvarrisë tutje procedurën. Në ndërkohë deri sa Apeli zvarrit lëndën, para një viti Rexhail Qerimi vdiq në burgun e Idrizovës duke pritur rigjykim për rastin që e konsideronte të padrejtë./TV21