BotaTop Lajme

Momentet e fundit para rrëzimit të avionit në Nepal, banorët ulërasin të tmerruar (Video)

Shpërndaje

Të paktën 40 persona sipas të dhënave të para kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të avionit me 68 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit në rajonin Pokhara në pjesën qendrore të Nepalit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Avioni i pasagjerëve i tipit “ATR 72” i kompanisë Yeti Airlines, i cili u nis nga kryeqyteti Katmandu në drejtim të Pokhara-s, është rrëzuar pranë luginës së Lumit Seti, raportoi Katmandu Post.

Zëdhënësi i kompanisë Sudarshan Bartaula ka thënë se avioni mbante 68 pasagjerë dhe ekuipazhin prej katër anëtarësh.

Kryeministri i vendit aziatik Pushpa Kamal Dahal kërkoi nga forcat e sigurisë dhe popullata që të mbështesin përpjekjet e shpëtimit në rajon.

Në pamjet e transmetuara në televizionin shtetëror, shihet se si flaka dhe tymi dilnin nga avioni që është rrëzuar në një zonë të pjerrët rrëzë Himalajeve.

Ndërkohë, BBC raportoi se 40 persona kanë humbur jetën në avionin që është rrëzuar 1,6 kilometër nga Aeroporti Ndërkombëtar i Pokhara-s.

Në një deklaratë me shkrim nga Agjencia e Aviacionit Civil të Nepalit, bëhet e ditur se në bord gjendeshin edhe shtetas të huaj, përfshirë pesë indianë, katër rusë dhe dy koreano-jugorë, si dhe shtetas të Irlandës, Australisë, Argjentinës dhe Francës.