Maqedoni

Në UT u përuruan hapësirat e qendrës së testimit TOEFL iBT

Shpërndaje

Në Universitetin e Tetovës, sot u përurua hapësira Amerikane, në kuadër të së cilës do të funksionojë qendra e testimit TOEFL iBT dhe do të realizohen edhe shumë aktivitete të përbashkëta, të cilat do të organizohen nga Universiteti i Tetovës dhe Këndi Amerikan në Tetovë.

Në përurimin e kësaj qendre të pranishëm ishin Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Zv. Ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë, shkëlqesia e tij Eric Meyer, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Koordinatori i Këndit Amerikan në Tetovës, Mr.Sc. Gëzim Sulejmani, prorektorë, dekanë, studentë dhe mysafirë të tjerë.

Zv. Ambasadori i SHBA-ve, ekselenca e tij, Eric Meyer shprehu kënaqësinë që mori pjesë në përurimin e hapësirës Amerikane në Universitetin e Tetovës, njëherësh ai e vlerësoi lartë bashkëpunimin dhe partneritetin që ka Universiteti i Tetovës me Ambasadën e SHBA-ve në Shkup dhe me Këndin Amerikan në Tetovë.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti e falënderoi Zv. Ambasadorin Amerikan për mbështetjen e vazhdueshme që Ambasada e SHBA-ve po i jep Universitetit të Tetovës, për të cilën stafi akademik dhe studentët tonë i janë shumë mirënjohës. “Është kënaqësi e veçantë që për vizitë e kemi Zv. Ambasadorin Amerikan në vendin tonë bashkë me përfaqësuesit e Këndit Amerikan në Tetovë dhe që nënshkruam një marrëveshje me të cilën hapësira amerikane do të funksionoj brenda Universitetit të Tetovës, gjithashtu e përuruam edhe qendrën e re për testim të TOEFL iBT, që është një gjë shumë e madhe edhe për studentët edhe për të punësuarit tonë. E shfrytëzoj rastin edhe njëherë që ta përshëndes këtë iniciativë dhe t’i shprehi falënderime dhe mirënjohje Këndit Amerikan në Tetovë, si dhe Ambasadës së SHBA-ve për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme përmes programeve të ndryshme, siç janë Fullbright, Peace Corps e të tjerë. Prej sot e tutje, ky bashkëpunim i cili ka qenë jetik për Universitetin tonë, kalon në një nivel tjetër, dhe nga sot e tutje do të kemi mundësinë që brenda hapësirave tona të zhvillohen këto aktivitete me një intensitet të shtuar”, tha Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Koordinatori i Këndit Amerikan në Tetovë, Mr. Sc. Gëzim Sulejmani tha se, kjo qendër promovohet në kuadër të 15-vjetorit të funksionimit të këtij këndi dhe bashkë me Universitetin e Tetovës vazhdojnë të kontribuojmë në ruajtjen e miqësisë mes dy popujve tonë. “Kjo është një ditë e veçantë për Këndin Amerikan, jo vetëm që e shënuam 15-vjetorin e funksionimit të suksesshëm përmes programeve të ndryshme që shënojnë një miqësi të përhershme midisi popullit tonë dhe atij amerikan, por gjithashtu këtë ditë e bën edhe më të shënuar hapja e qendrës së re të testimit TOEFL iBT dhe ky test është i pranuar ndërkombëtarisht dhe ndikon në rritjen e cilësisë së institucioneve. Kjo nuk do të shërbejë vetëm si qendër TOEFL iBT, gjithashtu kjo hapësirë amerikane do të shërbejë edhe për realizimin e misionit të Këndit Amerikan dhe ky bashkëpunim do të hapë një faqe të re për Këndin Amerikan, dhe besoj se, së bashku me Universitetin e Tetovës do të kemi aktivitete të përbashkëta në fusha të ndryshme”, theksoi Mr. Sc. Gëzim Sulejmani.

Universiteti i Tetovës dhe Këndi Amerikan, sot po ashtu kanë firmosur edhe një marrëveshje bashkëpunimi, e cila parasheh që në hapësirën amerikane përveç qendrës së testimit TOEFL iBT, të realizohen edhe shumë aktivitete të tjera të ndryshme, ku do të përfshihen profesorët, studentët, nxënësit e shkollave të mesme, veç kësaj do të shënohen data të rëndësishme dhe njëkohësisht do të realizohen shkëmbime të ndryshme akademike.