Osmani do ta dërgojë një përfaqësues të saj në takimin e Asociacionit te Ambasada Amerikane
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do ta dërgojë një përfaqësues të kabinetit të saj në takimin e thirrur nga Ambasad Amerikane më 31 janar ku do të diskutohet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Këtë për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar këshilltari për media i presidencës, Bekim Kupina.
“Presidentja Osmani do ta dërgoj një përfaqësues të Kabinetit të saj në këtë takim”, ka thënë Kupina, shkruan Reporteri.net
Në këtë takim, ftesë nuk ka marrë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të cilën e ka konfirmuar vetë.
“Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë”, ka thënë Kurti për REL.
Ndërsa, përveç LDK-së që ende nuk dihet nëse do të marrë pjesë në këtë takim apo jo, partitë e tjera opozitare, kanë bërë të ditur se do të jenë prezente në takimin e thirrur nga Ambasada Amerikane.
Përveç partive politike, pjesë e këtij takimi do të jenë edhe anëtarë të Shoqërisë Civile.
“Ne jemi duke ftuar një grup divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve, për të diskutuar këtë çështje me rëndësi”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane.