RajoniTop Lajme

Osmani: Masakra e Reçakut i tregoi botës tragjedinë që përjetuan shqiptarët

Shpërndaje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se viktimat e Reçakut i kanë treguar botës për tragjedinë që e kanë përjetuar shqiptarët më 1999.

Ajo i ka bërë këto deklarata në një ceremoni përkujtimore që është mbajtur të dielën në Shtime në 24-vjetorin e masakrës së Reçakut.

Më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak, rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë.

“Masakra e Reçakut bëri që qendrat vendimmarrëse, demokratike, të mobilizoheshin për ta mbrojtur një popull që po vuante nën kthetrat e një regjimi gjenocidal. Por, edhe për të dëshmuar se qytetërimi perëndimor, nuk mund të dorëzohej para hegjemonive, prandaj Kosova duhej të ndihmohej e të mbrohej”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po ashtu se masakra e Reçakut ka nxitur më së shumti ndryshime të qëndrimeve të shteteve të huaja për “atë që po bënte Serbia në Kosovë”.

“Teksa kujtojmë dhe nderojmë të gjitha viktimat e të vdekurve dhe të gjallëve të asaj kohe të errët, me lejoni që para jush, nga pozita e kryeministrit, t’ju them që shteti ynë demokratik nuk i amniston kriminelët dhe nuk i harron krimet e luftës”.

I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe ish-ambasadori amerikan, William Walker, i cili gjatë vitit 1999 ka shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë dhe ka dokumentuar krimet e kryera në këtë fshat.

Ngjarja e Reçakut është pasuar nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë dhe Serbi.

“Duke e cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit, dhe duke kërkuar drejtësi për viktimat, ambasadori Walker u shndërrua në zërin e viktimave dhe në zërin e gjithë Kosovës në kohët më të rënda në historinë tonë”, ka thënë Osmani, teksa ka vlerësuar rolin e Walkerit në raportimin për masakrën.

Vetë Walker ka thënë në ceremoni se në Reçak është kthyer edhe në rreth 15 përvjetorë tjerë për të parë sërish banorët e fshatit.

“Më pëlqen kur shoh fëmijë, shumë, shumë fëmijë. Këtë vit, kur kemi ecur afër varrezave, nuk kam mundur të dalloj se kush janë familjarët e viktimave dhe kush kanë qenë njerëzit që kanë dashur të vijnë për nderim. Kjo, sepse çdo vit shtohet numri i njerëzve që duan të tregojnë respekt për atë që përfaqëson Reçaku”.

Në paraditen e së dielës, krerë shtetërorë dhe qindra qytetarë kanë kryer homazhe te memoriali që nderon viktimat e kësaj masakre në Reçak.

Në mesin e tyre ka qenë edhe ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot.

Përmes një postimi në Twitter, ai ka bërë thirrje për të “kujtuar të kaluarën dhe për të ndërtuar të ardhmen e Kosovës”.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe njihet nga mbi 100 vende të botës.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e saj dhe në Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë atë si pjesë të territorit të saj./REL

VIDEO nga Ceremonia përkujtimore në 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut