Përfundon mbledhja e ASH-së, Taravari: Me qeverinë do të negociojë Këshilli Drejtues i partisë
Ka përfunduar mbledhja e Kresisë qendrore të ASH-së ku është krijuar komisioni për negociata me qeverinë.
“Kryesia Qendrore autorizoi Këshillin Drejtues të partisë për t’i vazhduar negociatat me partitë të cilat janë aktualisht pjesë e shumicës qeveritare”, tha Taravari.
Taravari theksoi se ai dhe partia që drejton nuk janë përgjegjës se kush hyn e kush del prej qeverie.
Njoftimi i plotë:
Kryesia Qëndrore e Aleancës për Shqiptarët ka mbajtur sonte mbledhjen e parë, pas Kuvendit të partisë, në cilën është diskutuar për aktivitetet partiake dhe zhvillimet politike në vend.
Në këtë mbledhje u soll vendim për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e kryetarit të degës në Tetovë, Jegunocë dhe Çashkë. Gjithashtu, Kryesia unanimisht autorizoi Këshillin drejtues të partisë që të zhvillojë bisedimet me partitë në Qeveri lidhur me zgjerimin eventual të shumicës dhe përfshirjen e ASh-së në Qeveri.
Në një deklaratë për media, pas mbledhjes së Kryesisë, Kryetari Arben Taravari tha se përfshirja e ASh-së në Qeveri mund të bëhet nëse vlerësohet se duhet t’i jepet shans dhe kohë sigurimit të 80 votave për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, si kusht për hapjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian.
Taravari shtoi se Aleanca për Shqiptarët, në bisedimet eventuale do të ketë prioritet objektivat programore dhe zgjedhjet kadrovike, për t’i rritur cilësinë performancës së Qeverisë dhe për të bërë dallimin në qeverisje.