Rajoni

Tadiq: Serbia s’e do Kosovën në organizata ndërkombëtare, por e fton në “Ballkan të Hapur”

Shpërndaje

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, në një intervistë për gazetën malazeze “Vijesti”, ka thënë se është paradoksale se si Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, porse e fton atë në “Ballkanin e Hapur”.

Tadiq ka thënë se mbështet çdo iniciativë rajonale që thyen barrierat e lidh qytetarët dhe ekonomitë, porse iniciativa të ngjashme ekzistojnë.

“Mbështes çdo iniciativë rajonale që thyen barrierat dhe lidh qytetarët dhe ekonomitë. Por, pyetja është se sa jofunksionale janë paralelizmat në të gjitha nismat rajonale të ngjashme që ekzistojnë tashmë, siç është edhe CEFTA. Në vend që të përfundojnë iniciativat e nisura, nisin iniciativa të reja, ndaj duket se është më e rëndësishme se kush e ka nisur, sesa efekti. Shpresoj vetëm që ideja Ballkani i Hapur të mos rezultojë në hapjen e Ballkanit për bashkëpunim në fushën e krimit të organizuar. Gjithashtu mënyra më e mirë për zbatimin e iniciativës Ballkani i Hapur është problematike në kontekstin e çështjes së Kosovës, pasi derisa Serbia është zyrtarisht kundër pjesëmarrjes së të ashtuquajturës Kosovë e pavarur në organizatat ndërkombëtare, formon një organizatë rajonale të shteteve të pavarura në të cilat Kosova është gjithmonë e ftuar hapur dhe prerazi për t’iu bashkuar kësaj nisme”, tha Tadiq.

Tadiq ka vlerësuar se situata në Ballkanin Perëndimor është dukshëm më e paqëndrueshme se që ishte gjatë mandatit të tij. Tadiq kishte qenë president nga viti 2004 deri në vitin 2012.

“Marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor sot janë pakrahasueshëm më të paqëndrueshme se gjatë mandatit tim dhe çdo krizë, qoftë më e vogla, si ajo në veri të Kosovës në ditët e fundit, mund të kërcënojë me përshkallëzim të mundshëm. Rrethanat kërkojnë vëmendje të veçantë duke pasur parasysh luftën brutale në territorin e Ukrainës, e cila zgjon ambicie agresive të çdo autokrati në kontinentin e Evropës. Në përgjithësi situata është shumë komplekse dhe e rrezikshme. Kjo padyshim flet se konfliktet e ngrira janë ide jetëshkurtra dhe se konfliktet duhet të zgjidhen në mënyrë të qëndrueshme, duke vendosur kompromise të drejta, dhe jo duke imponuar një zgjidhje në të cilën njëra palë humb gjithçka e tjetra fiton gjithçka, siç ka dashur Perëndimi ta impononte një zgjidhje në Kosovë e M. dhe disa vende të Ballkanit, për fat të keq, e pranuan një zgjidhje të tillë, duke e njohur pavarësinë e Kosovës”.