Bardhyl DAUTI: Reflektimi politik mbi Dardanus-in
Në fund të fundit, trashëgimia kulturore çdoherë shërben për ndërtim të postulateve të politikës nacionale. Kur të dhënat e trashëgimisë kulturore të “DARDANUS-it”, na pllakosin në fytyrë një të vërtetë kapitale të retrospektivës tonë, pse të mos e shfrytëzojmë këtë postulat për ndërtim të një politike origjinale, në një perspektivë afatgjatë.
Nga Bardhyl DAUTI
E vërteta “DARDANUS”, është e pa rezistueshme, por vetëm nën rrënoja. Është arkeologjike dhe antropologjike kjo e vërtetë, përderisa është nën rrënoja dhe historike. Është koha që politika shqiptare në Maqedoni të Veriut ta aktualizoj “DARDANUS-IN”, dhe t’i jep dimension dinamik në trajtimin e koherencës dhe konzistencës së trashëgimisë kulturore shqiptare. Përderisa të tjerët tentojnë të tjetërsojnë historinë e Aleksandrit të Madh dhe beteja e tyre në Maqedoni të Veriut është “pa lidhje”, për lidhje të pronësisë së tokës me etninë, në mënyrë që të uzurpojnë me politikë edhe më shumë, edhe ne Shqiptarët e Maqedonisë duhet të bëjmë betejën tonë politike dhe të ja nxjerrim në pah të vërtetat historike, perspektivës shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Ky qëndrim politik duhet detyrimisht të ndërtohet mbi premisën e autoktonisë territoriale dhe identitetit kulturor të shqiptarëve në këto vise, që derivohet nga trashëgimia kulturore. Pra, ky qëndrim nuk duhet të shihet si inercion ndaj politikave instrumentale, subjekt trajtimi i të cilëve kemi qenë shpesh herë në të kaluarën e afërt, qoftë nga enciklopedia maqedonase që trajton qenien shqiptare ne Maqedoni të Veriut si element të huaj, qoftë nga politikat aktuale kozmopolite të tipit ‘’Open Balkan’’, të cilët janë heterogjene për nga natyra etnike dhe nuk përmbahen në trajtën homogjene shqiptare. DARDANUS-i fatmirësisht dekonspiron bukur mirë edhe enciklopedinë maqedonase mbi shqiptarët edhe kozmopolitizmin artificial të konjukturës së “Open Balkan”.
Në fund të fundit, trashëgimia kulturore çdoherë shërben për ndërtim të postulateve të politikës nacionale. Kur të dhënat e trashëgimisë kulturore të “DARDANUS-it”, na pllakosin në fytyrë një të vërtetë kapitale të retrospektivës tonë, pse të mos e shfrytëzojmë këtë postulat për ndërtim të një politike origjinale, në një perspektivë afatgjatë. Skica e Mbrothtësisë së Përbashkët e propozuar nga Arbën Xhaferi është testamenti i vetëm që i reziston kohës së politikës instrumentale që aksidentalisht dominon rajonin tonë, veçmas të Ballanit Perendimor, ku qenia shqiptare është domethënëse. Mbrothtësia e Përbashkët është i vetmi mekanizëm që eliminon brishtësitë që lindin në artikulim të politikave nacionale si rezultat i mungesës së institucioneve uniforme, të cilët, rrjedhimisht prodhojnë qëndrime heterogjenë në planin nacional. Mbrothtësia mundëson përqasje racionale mbi nacionalizmin si koncept i moderuar i shtetndërtimit nacional, i identifikimit të identitetit nacional mbi premisa të trashëgimisë kulturor edhe jo si koncept gjenerues i konflikteve etnike, kulturore apo religjioze. Nisur nga kjo ide, nacionalizmi i moderuar shqiptar, që duhet promovuar si koncept koherent me trendet e politikës bashkëkohore, duhet të qëndrojë si vlerë parësore dhe universale e sendërtimit të politikbërjes tonë. Për fat të keq, një koncept i tillë mungon sot, veçmas në Tiranë, në kryeqendrën që ka edhe detyrim kushtetues të promovojë politika ‘’mbrothtësie’’ të identitetit kulturor të shqiptarëve në Ballkan e që në vend të saj promovon politika heterogjene në planin rajonal, duke mos trajtuar edhe kontestet historike që përbëjnë rajonin.
Në një kuptim të metaforës politike, është koha të thuhet që ‘’dielli për shqiptarët lind në vendet tona‘’ dhe nuk lind në perëndim, së paku në trajtën që ka lindur në dekadën e fundit të viteve 90-ta dhe dekadën e parë të viteve 2000. Ky qëndrim do të na bënte më origjinal në artikulim të qëndrimeve politike dhe më pak eufemistë. Brishtësia e politike e Bashkimit Evropian, në dekadën e dytë të viteve 2000 që u provokua ndjeshëm nga fenomeni BREXIT në Perëndim dhe nga ekspansionin territorial rus në lindje, nuk e bën konzistente në raport me kohën nevojën tonë për identifikim të intencës tonë historike me nomenklaturën politike të BE-së, për arsye të një argumenti vital. BE nuk mund të jetë fole e sigurisë nacionale të pjesë-popujve të vegjël, që integrohen parcialisht brenda saj, por vetëm integrimi nacional brenda BE-së mund të rris potencialin e kësaj sigurie. Kështu do të thoshte edhe Petar Kurecic, një profesor universitar i shkencave politike nga Universiteti i Zagrebit, në një punim të tij rreth integrimeve ekonomike regjionale në një botë multipolare, një prej autorëve kryesorë të cilin e kam trajtuar përgjatë një punimi shkencor personal mbi sfidat ekonomike të Open Balkan-it. Thënë më drejtë, në planin shqiptar, integrimi i pjesë popujve brenda një tërësie të konceptit të mbrothtësiesë duhet të bëjë këtë tërësi, ndërsa kjo tërësi mbrothtësie duhet të përbëjë BE-në. Kësisoj Çeko-Sllovakët para se të integrohen në BE u ndanë në dy shtete në përputhje me nevojën nacionale të vendeve respektive. Njëjtë vepruan edhe Gjermanët përgjatë historisë së tyre integruese në BE, ata përkundër çeko-sllovakëve, u bashkuan para integrimit. Andaj, integrimi i pjesshëm i një kombi brenda një strukture supra-nacionale, nuk është i qëndrueshëm në plan afatgjatë, sepse këto struktura të pjesshme të një tërësie homogjene, për sa kohë që divergjojnë nga kohezioni nacional e konvergjojnë nga ai supranacional, çdo herë do të jenë subjekt asimilimi kulturor, për arsye të heterogjeneiteit etnik të vet BE-së dhe për arsye të servisimit të mendësisë inkluzive dhe kozmopolite nga kombe më të fuqishme që përbëjnë BE-në.
Integrimi supra-nacional i pjesë popujve para integrimit nacional brenda një mbrothtësie, që aktualisht servohet si element gjeostrategjik, nuk është më një ide kreative në politikë, por me kalimin e kohës merr formë të një eufemizmi konvencional, për sa kohë që kjo ide nuk do ti rezistoj kohës së politikës kozmopolite. Arbën Xhaferi, këtu do të shtonte një fjali: ‘’Në kuadër të qytetërimit evropian konfliktet etnike janë tejkaluar falë zgjidhjes përfundimtare të çështjeve etnike, përkatësisht në sajë të arritjes së kongruencës ndërmjet përmbajtjes etnike dhe kufijve politik të shteteve’’. Andaj, me lehtësi mund të themi që politikat pragmatike, “Vetëm Eurointegrime”, pa e ditur se çka do të ndodh me BE-në në një plan afatgjatë, ashtu siç i kemi sot, sipas konceptit “me vizion nga e ardhmja, pa shikuar mirë në pasqyrë të pasme”, ku në mënyrë evidente na del DARDANUS-I, mund të na shpijnë në përplasje të rëndë me historinë tonë dhe në dezintegrim nacional në emër të mendësisë politike inkluzive brenda një strukture supra-nacionale.
(Autori ka qenë deputet i PDSH-së, ndërsa tani është profesor universitar në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tetovës).