Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë Veriore

Shpërndaje

Populli thotë: “E kemi masën ngat, kemi për ta matë!”

Shkruan: Abdulla Mehmeti

THIRRJET ME PËRMBAJTJE SHOVINISTE NUK JANË VETI TË NACIONALIZMIT SHQIPTAR, AS MUND T’I SHËRBEJNË ÇËSHTJES SHQIPTARE

„Zgjuarsia është një dritë hyjnore, ndriçimi i së cilës ndrit jo vetëm sipërfaqen e sendeve, por edhe brendinë e tyre.“
– Naim Frashëri

Në fushatën e rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë Veriore, disa politikanë dhe drejtues të partive politike sa nuk i çjerrën mikrofonat dhe autoparlantat duke u apeluar qytetarëve shqiptarë, përmes slloganeve me përmbajtje destruktive dhe shoviniste: „shqiptari e voton vetëm shqiptarin“, „shqiptari nuk e voton shkaun (të huajin)“, etj.

Ndërsa, po këtyre politikanëve „atdhetarë“ u janë HOLLUAR GISHTËRINJTË, me vite të tëra duke i votuar po këta të „huaj“ dhe „shkije“, si dhe duke u votuar vetë po nga ata, në detyra dhe funksione të ndryshme të pushtetit në këtë vend.

Ngjashëm me këta politikanë, edhe disa „atdhetarë në distancë“, kanë apeluar pandalur nga mërgata, gati sa nuk na e mbushën mendjen se janë të gatshëm të formojnë „qeveri në hije“ për shqiptarët në Maqedoni, ndërsa për kandidatin e tyre të preferuar shqiptar nuk arritën të sigurojnë më tepër se 48 vota „qesharake“, si për tallje me politikën vendëse dhe fatin e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore. Porosia biblike: „Nuk mund ta shohin ashklën në syrin e tjetrit, ata që nuk e shohin buallin në syrin e vet”.

Në cilatdo zgjedhje, në cilindo cikël zgjedhor, qytetarët duhet të porositen ta votojnë kandidatin (kandidatët) më të mirë, më të aftë, me biografi dhe të kaluar më të pastër, ata që dinë dhe mund të premtojnë, që e kanë dëshmuar këtë me punën e tyre në të kaluarën, jo duke i ndarë kandidatët sipas përkatësisë kombëtare, fetare, apo çfarëdo përkatësie tjetër, përderisa shqiptarëve ua kanë imponuar rrethanat të jetojnë në një shtet të përbashkët me të tjerët në Maqedoninë Veriore, popullsinë e së cilës e përbëjnë mbi 27 nacionalitete të ndryshme: shqiptarë, maqedonas, bullgarë, serbë, turq, vllehë, romë, boshnjakë dhe të tjerë, ndërsa një pjesë e madhe e qytetarëve të këtij vendi kanë prejardhje të përzier etnike, ndër vite, dekada dhe shekuj.

Thirrjet e këtilla, me përmbajtje, ngjyrime dhe porosi shoviniste nuk janë pjesë dhe veti të nacionalizmit shqiptar, të traditës shqiptare për mirëbesim dhe fqinjësi të mirë me të tjerët, as nuk mund ta ndihmojnë çështjen shqiptare në këtë shtet dhe më gjerë, por janë mjete të propagandës së ulët politike, për interesa partiake dhe përfitime ditore, individuale dhe grupore, mjerisht!

(26 prill 2019)