Erdogan: Kërkimet po vazhdojnë për ti gjetur viktimat, kemi ndarë 5 miliardë dollarë për t’i ndihmuar njerëzit
Presidenti i Tükiyes, Recep Tayyip Erdoğan, lidhur me tërmetet me qendër qytetin Kahramanmaraş bëri të ditur se deri më tani 3.549 persona kanë humbur jetën, 22.168 janë plagosur dhe mbi 8 mijë qytetarë janë shpëtuar nga rrënojat, raporton Anadolu.
Erdoğan foli nga Qendra Shtetërore e Koordinimit të Informacionit, ku vazhdojnë punimet koordinuese për tërmetin me qendër qytetin Kahramanmaraş, i cili ka prekur dhjetë qytete të vendit.
Erdoğan njoftoi se dy tërmetet e mëdha me qendër rajonet Pazarcık dhe Elbistan kanë shkaktuar shkatërrime të mëdha në dhjetë qytete të mëdha me një sipërfaqe të gjerë ku jetojnë rreth 13.5 milionë qytetarë. Ai rikujtoi se sipas analizës së “moment tensor” magnituda e tërmetit në ora 04.17 me epiqendër rajonin Pazarcık ishte 7.7 ballë, ndërsa tërmeti me epiqendër rajonin Elbistan në orën 13.24 ushte në 7.6 ballë.
Siç tha presidenti Erdoğan, ekspertët i cilësojnë këta dy tërmete si “të pavarura nga njëri tjetri, por që nxisin njëra tjetrën dhe si lëvizje të jashtëzakonshme tokësore të pashembullta në botë”.
“Që të dy tërmetet u përjetuan në një distancë prej 7 kilometrash në tokë, duke rritur fuqinë e shkatërrimit në mënyrë eksponenciale. Për sa i përket vijës së thyerjes, këta tërmete shkaktuan shkatërrime të mëdha në një sipërfaqe shumë të gjerë në krahasim me tërmetet e ngjashëm me ta. Për këtë arsye ndodhemi përballë me një nga fatkeqësitë më të mëdha, jo vetëm në historinë e vendit, por edhe në gjeografinë tonë dhe në botë. Shteti ynë me të gjitha institucionet, organizatat, personelin, mjetet, pajisjet dhe mundësitë e tij ka filluar të punojnë në zonat e fatkeqësisë me frymën e mobilizimit që në momentin e parë të tërmetit”, tha Erdoğan.
“53.317 persona të kërkim-shpëtimit punojnë në zonën e rrënojave”
Më tej, presidenti Erdoğan theksoi se rreziqet e paraqitura nga numri i madh i pasgoditjeve në ndërtesat e dëmtuara kanë ndikuar negativisht në punimet e kërkim-shpëtimit.
“Pavarësisht vështirësive të kushteve, ne duke përdorur të gjitha mundësitë e shtetit tonë, si dhe me mbështetjen e qytetarëve dhe vullnetarëve vazhdojmë me shpejtësi punimet e kërkim-shpëtimit. Aktualisht 53.317 persona të kërkim-shpëtimit dhe personel punojnë në zonën e rrënojave. Numri po rritet në çdo orë që kalon bashkë me ekipet nga brenda dhe jashtë vendit. Në punimet e ndihmës janë të përfshirë edhe shumë punonjës të sektorit publik, vullnetarë si dhe punonjës të organizatave të shoqërisë civile”, tha Erdoğan.
Presidenti turk njoftoi se deri më tani në rajon për të prekurit nga tërmeti janë dërguar 54 mijë tenda, 102 mijë shtretër, si dhe produkte të tjera të nevojshme.
“Në çdo qytet ku është përjetuar fatkeqësi kemi ngarkuar me detyrë prefektë dhe bashkiakë shtesë për të mbështetur drejtuesit aktual”, u shpreh Erdoğan, duke shtuar se kanë vendosur në zbatim hap pas hapi masat për të përballuar të gjitha nevojat e të prekurve nga tërmeti që nga ushqimi e deri tek veshja dhe ngrohja.
Erdoğan njoftoi se zv/presidenti Fuat Oktay zhvillon koordinimin e punimeve në qendrën e Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).
“Edhe ne kryejmë ndërhyrjet e nevojshme pasi i ndjekim moment pas momenti zhvillimet përmes Qendrës së Krizës në Presidencë duke qëndruar në komunikim me kolegët tanë në terren. Për aktivitetet e ndihmës emergjente dhe mbështetjen në fazën e parë kemi ndarë menjëherë një burim prej 100 miliard lirash për institucionet”, tha ai.
Ndër të tjera, në fjalën e tij Erdoğan informoi se krahas mijëra pjesëtarëve të Forcave të Armatosura Turke, në punimet e kërkim-shpëtimit dhe në punimet e evakuimit e ndihmës janë përfshirë dhjetë anije të Forcave Detare dhe 54 kargo-avionë me kapacitet të lartë transportues të Forcave Ajrore.
“Kemi 3.549 të vdekur, 22.168 të plagosur”
Presidenti Erdoğan deklaroi se mijëra makineri pune nga i gjithë vendi janë nisur drejt rajonit për të marrë pjesë në rimëkëmbjen e infrastrukturës.
“Me përparimet e shënuara në punimet e kërkim-shpëtimit, fatkeqësisht rritet edhe numri i të vdekurve dhe të plagosurve. Deri më tani kemi 3.549 të vdekur, 22.168 të plagosur. Ngushëllimi ynë më i madh është se deri më tani janë shpëtuar nga rrënojat mbi 8 mijë qytetarë tanë. Të plagosurit që nxirren nga rrënojat, pas trajtimit të parë në rajon dërgohen për trajtime nëpër spitalet e tjera të vendit, kryesisht në Mersin, Istanbul dhe Ankara. Shpreh mëshirën e Allahut mbi qytetarët tanë që kanë humbur jetën, ngushëllime ndaj të afërmve të tyre dhe popullit tonë, si dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit”, u shpreh Erdoğan.
Ai gjithashtu tha se ata shpallën një javë zie kombëtare, duke filluar nga dje deri të dielën e ardhshme, në shenjë respekti për vuajtjet e kombit nga kjo fatkeqësi e madhe.
Ai shpjegoi se ndërkohë që vijojnë përpjekjet e kërkim-shpëtimit në rajon, çdo institucion ka marrë masa shtesë dhe ka njoftuar publikun.
“Në këtë kuadër, mësimi është pezulluar deri më 13 shkurt në shkollat në të gjithë vendin dhe deri më 20 shkurt në shkollat e zonës së fatkeqësisë”, informoi gjithashtu presidenti turk.
Duke u shprehur se të gjitha ndërtesat e përshtatshme janë ndarë për nevojat e strehimit të viktimave, Erdoğan njoftoi se duke filluar nga vendet pranë zonës së fatkeqësisë janë bërë planet e nevojshme që hotelet që kanë ndërprerë aktivitetet e tyre për shkak të dimrit të vihen në shërbimin e të prekurve nga fatkeqësia. Ndër të tjera, Erdoğan bëri të ditur se vetëm në rajonin e Antalya-s janë përgatitur 50 mijë shtretër për këtë qëllim.
“Dhjetë qytetet ku ka ndodhur tërmeti i shpallim si zona të fatkeqësisë që ndikojnë në jetën e përgjithshme. Kemi vendosur të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme, duke u bazuar në kompetencën që na jep neni 119 i Kushtetutës, për të zhvilluar me shpejtësi punimet e kërkim-shpëtimit dhe punimet pas tyre. Do të përfundojmë procedurat e Presidencës dhe Parlamentit për gjendjen e jashtëzakonshme, e cila do të zgjasë 3 muaj dhe që përfshin dhjetë qytetet ku ka ndodhur tërmeti”, deklaroi Erdoğan lidhur me tërmetet me qendër në Kahramanmaraş, duke shtuar se fatkeqësia e tërmetit dhe madhësia e efekteve të tij e bëri të nevojshme marrjen e masave të jashtëzakonshme.