FSK-së i shtohen edhe 31 oficerë të rinj

Shpërndaje

Sot, në ambientet e kazermës së FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë, pas përfundimit të Kursit Bazik të Oficerit, u mbajt ceremonia e certifikimit e 31 oficerëve të rinj.

Në ceremoninë përkatëse të pranishëm ishin ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zv.ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, zv.ministri i Mbrojtjes Adnan Rexhepllar, zv.sekretari i Përgjithshëm Avdylkadër Muqaj, zv.komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Jeton Dreshaj, si dhe gjeneralë e oficerë të tjerë të FSK-së, atashe ushtarakë të vendeve partnere, oficerë të NALT-it, këshilltarët ushtarak bilateral, si dhe familjarë të oficerëve të certifikuar.

Ministri i Mbrojtjes z. Armend Mehaj, me fjalim e tij drejtuar oficerëve të rinj, ndër të tjera tha ” Si oficer të diplomuar, ju tashmë keni përvetësuar themelet e udhëheqjes duke mësuar teknikat e luftimit dhe të fushëbetejës që zbatohen si për veten e tuaj ashtu edhe për grupin që do udhëhiqni. Ju tani keni atë që duhet për të udhëhequr dhe për të ndërtuar besimin në ekipin tuaj si oficer të Ushtrisë së Kosovës, përgatitjen fizike, sigurinë mendore e emocionale, njohuritë dhe aftësitë për të udhëhequr çdo situatë në mënyrë efektive, pa marrë parasysh mjedisin ose skenarin e operacionit. Ju jeni shtylla mbi të cilën do të vazhdon ndërtimin struktural e profesional Forca e Sigurisë së Kosovës, dhe që do shoqëroj etapën e ushtrisë sonë drejt shërbimit në aleancën e madhe të NATO-s, si ofruese të sigurisë dhe paqes përtej vendit e rajonit. Dhe ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë! Në vazhdimësi po e dëshmojmë!”

Ndërsa, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Jeton Dreshaj në fjalën e tij theksoi: “Të kalosh nga nënoficerë në oficerë është shembull ,dy herë, përkushtim dhe shërbim, ku përvoja dhe dëshira bëhen bashkë. Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes do jetë qendër për edukimin dhe stërvitjen e gjeneratave të reja me karakter moral dhe profesional për t’i shërbyer atdheut dhe mbrojtjes se vlerave perëndimore”.

Certifikimi i kandidatëve, bëhet pas 4 muajve trajnim pranë Shkollës së Oficerëve të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.