Grushta në Kuvendin e Serbisë (Video)
Seanca e posaçme në Kuvendin serb, ku po diskutohet për Kosovën është shoqëuar me përplasje verbale dhe fizike midis deputetëve të opozitës dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Në seancën për Kosovën, në Parlamentin serb ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Lista Serbe.
Në mesin e tyre edhe nën kryetari i Listës Serbe, Millan Radoiviçiç që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.
Vuçiq në këtë seancë ka folur për planin evropian për normalizimin e raporteve me Kosovën, teksa opozita e ka cilësuar këtë plan si “kapitullim për Serbinë”. Ndërkohë, presidenti serb Vuçiq ka mohuar këtë kapitullim.
“Nëse vjen deri te ajo Kosova në Kombet e Bashkuara po apo jo dhe të përfundoj me këtë, ndryshe nga ju, për mua si president i Serbisë, kushtetuta është libër i shenjtë, kapitullimi dhe dorëzimi nuk janë opsion dhe e di se çfarë do të bëj dhe të përfundoj me këtë, mes qëndrimit tim në pushtet në mandatin që ma garanton kushtetuta, të cilin nuk mund të ma shkurtoni, ta zvogëloni apo ndryshoni, e di se çfarë duhet të bëj sepse nuk ka zgjedhje mes Vuçiqit apo Serbisë, Vuçiq është gjithmonë në anën e Serbisë dhe unë do të zgjedh Serbinë”, tha ai.
Plani franko-gjerman tashmë është bërë propozim i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ky dokument ka marrë mbështetjen edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky plan nuk është bërë publik, por ai iu prezantua Beogradit dhe Prishtinës, në shtator dhe dhjetor të vitit 2022. Në atë dokument, nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Por, në dokument përmendet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane. Gjithashtu, Serbisë i kërkohet që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ndërmjetësuesit evropianë dhe amerikanë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë angazhuar muajt e fundit për të përfunduar këtë proces. Për këtë qëllim, propozimi evropian, i njohur si propozimi franko-gjerman, iu dorëzua dy palëve. Ekipi i diplomatëve, gjatë muajve të kaluar, ka vizituar disa herë Prishtinën dhe Beogradin. Kosova dhe Serbia, që nga viti 2011 po zhvillojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e BE-së.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e njeh. Muajt e fundit, marrëdhëniet mes dy vendeve u karakterizuan me incidente dhe tensione.