Kurti: E pranoj Asociacionin, por vetëm pasi Serbia dhe BE-ja t’i plotësojnë gjashtë kushte
Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet të garantojë edhe të drejtat e komuniteteve pakicë dhe mekanizmat përkatës institucional. Shteti normal demokratik nuk i diskriminon pakicat por i mbron ato si vlerë themelore e i ruan ato si pasuri shoqërore. Normalizimi i jashtëm i marrëdhënieve duhet t’i kontribuojë normalizimit të brendshëm të shteteve.
Asociacioni i komunave i dalur në parim nga marrëveshja e Brukselit Thaçi-Daçiq e 19 prillit 2013, si një mekanizëm i tillë, mund të konsiderohet nga Republika e Kosovës, me këto kushte:
1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).
3. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimit Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.