Kërkojnë shkarkimin e Joveskit dhe rigjykim/ Protestojnë familjarët e 14 viktimave në spitalin modular të Tetovës

Shpërndaje

Nga Tetova në Shkup. Me fjalët 32 vjet shtet, 32 vjet korrupsion që vret, familjarët e 14 viktimave nga zjarri në spitalin modular në Tetovë kërkojnë drejtësi. Ata përmes një proteste të organizuar tek Sheshi Skenderbeu, e duke marshuar para Prokurorisë Publike, kërkuan shkarkimin e kryeprokurorit Ljubomir Joveski.

Familjarët dyshojnë se prokuroria ka fshehur faktet për tenderimin dhe procesin e montimit të spitalit modular ndërsa përpos Joveskit, dorëheqje kërkojnë edhe nga katër prokurorë tjerë.

“Jemi dëshmitarë të një papërgjegjësie totale me sundim kriminal, në të gjitha nivelet e sistemit dhe anashkalimit në heshtje i ekspertizës gjermane që kjo prokurori më shumë e kërkoi është skandal dhe dështim i sistemit të drejtësisë. Ne si familjarë kërkojmë, shkarkim të prokurorit Ljubomir Joveski bashkë me prokurorët tjerë Besir Aliu, Hanefi Ameti, Zorica Pavloviq dhe Dejan Petreski të involvuar në fshehjen e krimit.”- tha Ibin Emshi / Protestues.

“Të gjithë flasin për integrim në BE dhe qeverisje të së drejtës. Por në këtë shtet nuk respektohet as më e shenjta, jeta e njeriut. 14 viktima, zero ditë burg.”- tha Mumin Ismaili.

Familjarët kërkojnë hetim dhe akuzë të re për arsyet e zjarrit. Nëse nuk përfillen kërkesat e tyre, paralajmërojnë mënyra të tjera të protestave, ndryshe nga këto siç ishin deri tani paqësore.Në protestë morën pjesë kryesisht familjarë të viktimave por prezent ishin edhe disa qytetarë nga Shkupi.

Rikujtojmë se për këtë tragjedi, me 1 vite e gjysmë burg me kusht u dënuan ish drejtorët e spitalit, Florin Besimi dhe Artan Etemi. Të njejtit nuk guxojnë ta përsërisin veprën në afat prej tre viteve.