RajoniTop Lajme

Kurti flet në 34 vjetorin nga greva në Trepçës: Minatorët janë në qendër të historisë sonë

Shpërndaje

34 vjet nga greva në Trepçë, Kurti: Minatorët janë në qendër të historisë sonë.

Kryeministri i Kosovës, Albi Kurti, ka marrë pjesë në shënimin e 34-vjetorit së grevës së minatorëve të Trepçës, bashkë me të ishte edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Duke kujtuar kontekstin dhe grevën e vitit 1989, kryeministri tha se me veprimet e tyre minatorët po e mbronin Kosovën nga politikat diskriminuese dhe shtypëse të diktatorit serb në ngritje Sllobodan Millosheviqit dhe përpjekjes për ta revokuar autonominë Kosovës.

Ai shtoi se për tetë ditë, deri më 28 shkurt 1989, horizonti i tetë dhe i nëntë i zgafellës së Xeherores së Stantërgut, në rreth një mijë metra nën tokë, u kthyen në fronte politike që e dridhen gjithë Jugosllavinë.

Më poshtë është fjalimi i plotë i kryeministrit:

Mbrëmë kur jam kthyer në Prishtinë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” lajmi i parë që e mora ishte “fitoi Trepça”. Andaj më lejoni që qysh në fillim t’ia uroj klubit të basketbollit Trepça fitoren e mbrëmshme dhe kupën e Kosovës. E mbaj mend që klubi i basketbollit Trepça pat fituar para saktësisht 30 vjetëve, 1993 e mandej është bërë kampion disa herë edhe pas çlirimit por fitorja e mbrëmshme ishte e jashtëzakonshme edhe e vlefshme për të gjithë neve jo vetëm për vetë Trepçën e për Mitrovicën.

E nderuara ministre e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli,

I nderuar Kryetar i Komunës së Mitrovicës z. Bedri Hamza,

I nderuar Kryetar i Bordit të Trepçës z. Bahri Hyseni,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Armend Muja, Arjeta Fejza dhe Armend Zemaj,

I nderuari zëvendësministër Agron Dobruna

I nderuar zëvendësues i Kryeshefit z. Enis Abdurrahmani,

Të dashur minatorë,

Motra e vëllezër,

Zonja e zotërinj,

Këto ditë, teksa shënuam 15-vjetorin e shtetit tonë, fjala kryesore e secilit fjalim ishte “Republika e Kosovës”. Ishte kryefjala e të gjitha urimeve tona. Mirëpo, Republika e Kosovës si shtet nis me “Kosovën Republikë’’ si parullë. E teksa po mendoja të vija këtu mes jush sot në Stantërg, për të kujtuar bashkë grevën e minatorëve të Trepçës, në 34-vjetorin e saj, u kujtova që me fjalën “Kosova Republikë”, mund të përkujtohet edhe ky përvjetor i grevës së minatorëve të vitit 1989. Sepse parulla “Kosova Republikë”, bashkë me parullën “Trepça është e jona” dhe me parulla të tjera, ishte shkruar në muret e menzës së punëtorëve qysh më 28 shtator 1983, nga minatorët e Trepçës, Xhavit Bajraktari dhe Shyqri Miftari.

Pesë vite më pas, duke dashur të pengojnë hapat e ardhshëm të politikave të Serbisë që po e shtonte shtypjen politike mbi shqiptarët, drejt suprimimit të autonomisë së Kosovës, në mëngjesin e 17 nëntorit 1988, minatorët e Trepçës u mblodhën këtu në Stantërg dhe të veshur me uniforma minatorësh, marshuan në këmbë 52 kilometra deri në Prishtinë, për të shprehur kundërshtitë e tyre, dhe me thirrjen “Rroftë klasa punëtore”. Kështu në pak vite, komuniteti minerar i Mitrovicës me minatorët e Trepçës, u kthye nga një grup punëtorësh prej djersës së të cilëve në mënyrë të padrejtë dhe në përmasa të pabarabarta ndërtohej në gjithë Jugosllavinë, në një kolektiv profesional të organizuar politikisht, prej të cilit nisi edhe shpërbërja e vetë Jugosllavisë e cila po bëhej Jugosllavi e regjimit të Millosheviqit.

Pasi Komiteti Krahinor i Kosovës atëbotë, nuk iu përgjigj kërkesave të minatorëve, më 20 shkurt 1989, rreth orës 13:00, minatorët e ndërrimit të katërt nuk dolën fare nga miniera, duke hyrë në grevë urie. Atyre iu bashkuan edhe minatorët e tri ndërrimeve të tjera dhe kështu rreth 1300 minatorë të Trepçës, u ngujuan në grevë duke i artikuluar 10 kërkesa, në mes të cilave e teta ishte: “që fati i shqiptarëve në Kosovë e Jugosllavi të shqyrtohet në Kombet e Bashkuara”. Pra kjo është thirrje e minatorëve në emër të të gjithë shqiptarëve që të ndërkombëtarizohet çështja e Kosovës ku po niste aparteidi nga Serbia.

Pra në thelb minatorët po e mbronin Kosovën nga politikat diskriminuese dhe shtypëse të diktatorit serb në ngritje Sllobodan Millosheviqit dhe përpjekjes për ta revokuar autonominë Kosovës.

Për tetë ditët e ardhshme, deri më 28 shkurt 1989, horizonti i tetë dhe i nëntë i zgafellës së Xeherores së Stantërgut, të ndodhur në rreth një mijë metra nën tokë, u kthyen në fronte politike që e dridhen gjithë Jugosllavinë.

E ngritur mbi parimin e sforcuar të “Vllaznim- Bashkimit” dhe e dominuar padrejtësisht deri në eksploatim nga Serbia, ajo ngrehinë e quajtur Jugosllavi, sapo ishte nisur në rrugën e pakthim të rrënimit të saj. 1300 minatorët grevistë të Trepçës, ishin 1300 ushtarët e parë që e nisën luftën e cila pas një dekade rezultoi me çlirimin e Kosovës, ndonëse konteksti historik i kohës së atëhershme ishte shumë, shumë kompleks.

Përkundër faktit që minatorët u mashtruan dhe kërkesat e tyre nuk u plotësuan, greva e minatorëve të Trepçës prodhoi efektet e saj përtej pritjeve të kohës. Para se të dilnin nga horizonti i tetë, apeli i fundit i minatorëve kishte qenë një thirrje për t’i dhënë fund vëllavrasjes dhe për t’u pajtuar gjaqet. Më 1 mars 1989, ditën e parë pas grevës, organet serbe mbyllën minierën dhe i arrestuan 15 persona që u burgosën për 14 muaj. Tre javë më pas më 23 mars 1989, Kosovës iu suprimua autonomia, kurse në muajt pasues, mijëra shqiptarë u larguan nga vendet e punës. Epoka e aparteidit dhe segregacionit kishte nisur për të vazhduar deri në çlirimin e 1999-ës, që ishte çlirim nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e mbështetur nga NATO-ja kundër okupimit e pushtimit të Serbisë.

Tani kanë kaluar 34 vjet nga greva, 24 vjet nga lufta dhe 15 vjet nga shpallja e pavarësisë. Shpejt do të bëhen dy vjet prej se kjo qeveria jonë e re e ka marrë detyrën për të ruajtur pronën e popullit, për të sjellur drejtësi në vend dhe për t’i hapur rrugë zhvillimit e mirëqenies.

Për dy vjet kemi punuar me zell me krejt çfarë kemi mundur e ditur. Jemi angazhuar veçanërisht me ndërmarrjet publike. I kemi përkrahur për ta luftuar krimin e korrupsionin përbrenda, për të tejkaluar vështirësinë financiare, për ta zënë hapin në treg dhe për ta rritur performancën e për t’i ngritur pra rezultatet. Për këto dy vjet, kemi parë përparim te Trepça. Udhëheqja e re e ndërmarrjes e ka rritur prodhimin dhe të hyrat, i ka ulur shpenzimet operative dhe ka vendosur rend e disiplinë në punë.

Në dy vitet e fundit, të hyrat e Trepçës janë rritur për 50% në krahasim me vitet 2018-2020. Në 2018-2020 kanë qenë 14 deri në 15 milionë euro, e tash janë 21 deri në 22 milionë euro.

Vetëm gjatë vitit që shkoi, të hyrat nga koncentrati i Plumbit dhe Zinkut janë rritur për 11%, ndërsa shpenzimet operative janë ulur për 15% në krahasim me vitin paraprak. Kështu, edhe humbjet janë ulur nga 2 deri në 5 milionë euro në baza vjetore që kanë qenë me herët, në 690 mijë euro në vitin 2021, e vetëm 126 mijë euro në vitin 2022.

Trepça i ka rrit edhe të hyrat nga burimet tjera. Gjatë vitit që shkoi, u bë furnizuesi kryesor i Kompanive Rajonale të Ujësjellësit me Alumin Sulfat, duke rritur të hyrat nga shitja e këtij produkti për 152%. Ndërsa, që nga nëntori 2021, Trepça realizon të hyra shtesë për vete dhe njëkohësisht i shërben ekonomisë së vendit përmes Terminalit Doganor publik i cili ofron shërbime me tarifa më të ulëta për sektorin privat.

Si qeveri e kemi përkrahur Trepçën me subvencione për investime kapitale dhe për t’u përballur me krizën energjetike, 8.2 milionë euro në vitin 2021 dhe 8.3 milionë euro në vitin 2023. Por kemi ende punë përpara së bashku — për Trepçën dhe për minatorin e Kosovës.

Sivjet është koha për investime në teknologji të re, që e rrit efiçiencën e prodhimit, e ngrit performancën operative e financiare të ndërmarrjes, i përmirëson kushtet e punës dhe hap vende të reja pune. Investimet që nuk janë bërë për gati gjysmë shekulli — makineritë prodhuese dhe flotacioni i ri — do të ndodhin brenda qeverisjes sonë.

Teksa e kujtojmë grevën e vitit 1989 të minatorëve të Trepçës, 34 vjet më pas, duke kujtuar kapacitetet e atëhershme të saj dhe ngritjen e nivelit të punës së saj sot, sfida e të gjithëve për Trepçën dhe posaçërisht e qeverisë sonë veçanërisht, është që nga një gjigand i cili konsiderohet i fjetur, Trepça të kthehet në një burim pasurish minerare që nga nëntoka ngrit nivelet e të gjitha stadeve të punës së kësaj ndërmarrjeje, përtej çdo kujtese a historie për këtë parajsë nëntokësore.

Toka dhe nëntoka jonë janë fati ynë i përbashkët, e minatorët janë në qendër edhe të historisë sonë, por edhe të së tashmes e të ardhmes tonë. Andaj, Gëzuar Ditën e Minatorit dhe me fat.