Lirohen 2 policët që dhunuan profesorin shqiptar, Petraq Milon

Shpërndaje

Dy policët Nikola Boljeviç dhe Dragan Shçekiç të arrestuar për dhunën fizike ushtruar ndaj profesor Petraq Milos, anëtar i Partisë së Lirisë, në pikën kufitare Muriqanit në Malin e Zi, u liruan nga Prokuroria e Ulqinit.

Prokurori i çështjes vendosi që të dy policët do të hetohen në gjendje të lirë për keqtrajtimin fizik ndaj Petraq Milos dhe djalit të tij më 15 Janar.

Përpara prokurorit, sipas mediave malazeze, Shçekiç i cili në videon e publikuar kap nga fytyra Milon, ka deklaruar se është penduar dhe se kishte gabuar. Ndërsa u shpreh se ngjarja ndodhi për shkak se Milo refuzoi urdhrin e policisë.

Ndërkohë që në momentin kur po merrej dëshmia e tyre përpara Prokurorisë po protestonin një grup policësh në mbështetje të dy kolegëve. Dy ditë më parë, Prokuroria kërkoi arrestimin e dy policëve, duke u shprehur se kishin shkelur ligjin.

Incidenti i 15 Janarit në kufi, ndërsa Milo po kthehej në Shqipëri pas dhënies së mësimit në Universitetin e Podgoricës, shkaktoi reagime të forta politike.

Partitë shqiptare kërkuan dorëheqjen e ministrit të Brendshëm. Ndërsa Kryeministri Dritan Abazoviç për ngjarjen në fjalë u shpreh se janë marrë masa menjeherë pasi efektivët e policisë kanë kryer veprime përtej kompentencave të tyre.