Maqedoni

“Në vend që të afrohemi, sot jemi të ndarë”, Mickoski i revoltuar shkaku i barrikadave dhe protokolleve

Shpërndaje

Edhe pse u paralajmërua se për shkak të protokolleve të rrepta sigurie, do të lëshohen delegacionet e paralajmëruara, megjithatë VMRO-DPMNE-ja vendosi të organizohet në mënyrë tjetër. Më shumë anëtarë të kësaj partie, në krye me udhëheqësinë, u mblodhën para selisë partiake dhe u nisën drejt Kishës “Shën Spasi”. Aty i priti kordoni policor ku rruga ishte e bllokuar.

U ishte thënë se kështu nuk do të mund ta vizitojnë varrin e Goce Dellçevit. Kjo situatë, por edhe protokollet e larta të sigurisë nuk i pëlqyen kryetarit të VMRO-DPMNE-së.

“Në vend që të gëzohemi dhe të festojmë në mënyrë dinjitoze, kemi sigurim të nivelit të lartë dhe fluturojnë helikopterë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Pasi qëndruan disa minuta te barrikada dhe pas disa bisedave telefonike, Mickoskit dhe nënkryetarëve të partisë u ishte lejuar të kalojnë. Të tjerët duhej të prisnin këtu…

“Të ndërrohemi, së pari një delegacion, pastaj ai të kthehet. Më pas delegacion tjetër dhe kështu supozoj se do të përfundojë dita…“, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Sipas protokolleve të sigurisë, delegacionet duhej të ishin në përbërje më të vogël dhe pasi delegacionet zyrtare do të vendosnin lule, këtë do të kishin mundësi ta bënin edhe qytetarët, por sipas të njëjtit parim – jo më shumë se dy veta në një grup. Mickoski thotë se ndihet i zhgënjyer që 151 vjetori i lindjes së heroit Goce Dellçev, kremtohet në këtë mënyrë.

“Dhe e dyta është ndjenja e zhgënjimit. Ndjenjë që m’u paraqit sot duke ecur nga barrikada e parë përmes barrikadës së dytë, deri këtu te kjo kishë. Në vend që të afrohemi, në vend që miqësia jonë të rritet, ne për fat të keq sot jemi më larg se në cilëndo periudhë tjetër të historisë sonë. Para 68 muajve premtonin jetë, para 68 muajve premtonin se do ta çojnë Maqedoninë në Europë, kurse sot sipas nivelit të korrupsionit jemi krah për krah me Tunizinë, Surinamin dhe Indinë, ndërsa në të gjitha parametrat e tjera jemi të fundit në Ballkan. Fatkeqësisht, kurrë nuk kemi qenë më të distancuar nga fqinjët tanë sesa sot”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Pasi Mickoski vendosi lule bashkë me nënkryetarët e partisë, edhe anëtarëve të tjerë të partisë u ishte lejuar ta vizitojnë varrin e Goce Dellçevit.