Rama: Askush të mos e akuzojë Kurtin për tradhti, bëri gjënë e duhur
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas zhvillimeve të fundit nga Kosova pasi kryeministri Albin Kurti dhe homologu i tij serb Aleksander Vuçiç u takuan me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Kreu i qeverisë shprehet se uron që askush të mos e akuzojë Albin Kurtin për tradhti apo harresë pasi ai ra dakord në mbledhjen e zhvilluar të hënën për planin franko-gjerman.
Rama thotë se të gjithë duhet ta kuptojnë se kryeministri i Kosovës bëri gjënë e duhur, “duke hedhur hapin e parë drejt daljes nga e djeshmja.
Paqja dhe bashkëpunimi janë çelësi për të ardhmen që u detyrohemi fëmijëve tanë në këtë rajon të shkatërruar prej shekujsh nga mungesa e paqes dhe bashkëpunimit. E përshëndes rënien dakord të dy palëve për Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ky është një moment historik i rëndësishëm për paqen rajonale dhe i inkurajoj fuqimisht të gjitha palët e përfshira që të vazhdojnë të punojnë për një zbatim të shpejtë. Për paqen dhe bashkëpunimin, Shqipëria është dhe do të mbetet besimtare dhe model. Ne mbështesim plotësisht çdo përpjekje për të kapërcyer të kaluarën.
Uroj që askush të mos e akuzojë Albin Kurtin për tradhëti apo harresë, por gjithkush të kuptojë se kryeministri i sotëm i Kosovës ka bërë gjënë e duhur, duke hedhur një hap të parë me shumë rëndësi drejt daljes nga kurthi i të djeshmes. Hapa të tjerë pasofshin pa humbur kohë!
Edi Rama në Twitter shkruan:
Sa i përket ecurisë së deritanishme të dialogut Kosovë-Serbi, Rama, i inkurajoi palët e përfshira që të vijojnë të punojnë për zbatimin e shpejtë të Marrëveshjes.
Kujtojmë se me ndërmjetësimin e europianëve, Kurti dhe Vuçiç pranuan më 27 shkurt propozimin që mban titullin “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.
Ndërkohë, BE pret që puna për zbatimin e marrëveshjes të finalizohet para takimit të radhës të Këshillit Evropian, që do të mbahet më 23-24 mars.
Takimi i radhës mes dy lidërëve do të jetë më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.
Peace and cooperation are key for the future we owe to our kids in this region devastated for ages from lack of peace and cooperation. I welcome the consent of the two sides for the Agreement on the Path to Normalisation between Kosova and Serbia
— Edi Rama (@ediramaal) February 28, 2023