Rritet në 35.418 numri i vdekjeve nga tërmetet, Erdoğan njofton nisjen e ndërtimit të shtëpive në fillim të muajit mars
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se ekspertët në mbarë botën tërmetet e javës së kaluar në Türkiye i kanë përshkruar si një “dukuri e jashtëzakonshme natyrore”, raporton Anadolu.
“Me konsensusin e të gjithë ekspertëve në botë, tërmetet në Kahramanmaraş konsiderohen si një fenomen natyror i jashtëzakonshëm me madhësinë e tyre dhe për faktin që ata ndodhën njëra pas tjetrës”, tha presidenti Erdoğan, pas takimit të kabinetit në Ankara me Autoritetin e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).
Erdoğan theksoi se shkatërrime “serioze” kanë ndodhur në dhjetë provincat më të goditura nga tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë që tronditën rajonin më 6 shkurt.
Ai gjithashtu njoftoi se të paktën 35.418 persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmeteve, të dy me qendër në provincën Kahramanmaraş, nga të cilët janë prekur mbi 13 milionë njerëz.
“Këto tërmete të njëpasnjëshme lëshuan energji të barabartë me qindra bomba atomike më të fuqishme”, tha Erdoğan.
Provincat Gaziantep, Adıyaman, Malatya, Hatay, Adana, Diyarbakır, Kilis, Osmaniye dhe Şanlıurfa po ashtu u tronditën rëndë nga dy lëkundjet masive që goditën rajonin brenda dhjetë orëve.
Disa vende në rajon, përfshirë Siria dhe Libani, po ashtu ndjenë tërmetet.
Presidenti Erdoğan tha se gjithsej 13.208 të plagosur akoma po marrin trajtim në spitale. Ai po ashtu njoftoi se një personel i përbërë prej 250 mijë personash po kryejnë përpjekjet e kërkim-shpëtimit në zonën e tërmetit.
“Türkiye do të vazhdojë përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit derisa i mbijetuari i fundit të tërhiqet nga ndërtesat e shembura”, u shpreh ai.
Më tej, presidenti Erdoğan u zotua të ri-ndërtojë rajonin jugor të goditur nga tërmeti në kuadër të një plani 1-vjeçar.
“Türkiye fillon menjëherë ndërtimin e 30 mijë shtëpive në fillim të muajit të ardhshëm”, deklaroi presidenti turk.
Sipas gjetjeve paraprake, tha ai, “211 mijë shtëpi në 47 mijë ndërtesa në zonën e tërmetit u zbuluan se janë shkatërruar, dëmtuar rëndë ose është e nevojshme që të prishen”.