BotaTop Lajme

Shifra tragjike, shkon mbi 50 mijë numri i viktimave të tërmetit në Turqi dhe Siri

Shpërndaje

Rritet bilanci i viktimave nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e 6 shkurtit. Sipas medieve të huaja, numri i të vdekurve shkon mbi 50 mijë.

Sipas të dhënave të fundit tërmeti prej 7.8 dhe 7.5 ballësh kanë marrë jetën e 44,218 personave në Turqi, ndërkohë në Siri numri i viktimave deri më tani ka arritur 5,900. Pas dy tërmeteve të para janë rregjistruar edhe 9136 pasgoditje. Ndërkohë numri i personave të evakuar arriti në 528 mijë e 146.

Turqia gjatë ditës së sotme bëri të ditur se ka nisur tashmë punën për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga tërmetet. Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara vlerësoi se 1.5 milion njerëz kanë mbetur të pastrehë, mbi 160.000 ndërtesa me 520.000 apartamente janë shembur ose janë dëmtuar rëndë nga tërmetet e 6 shkurtit.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se të gjitha shtëpitë të cilat u shkatërruan nga tërmeti do të rindërtohen brenda vitit. Ndërsa ekspertët kanë paralajmëruar se autoritetet duhet t’i kushtojnë më shume rëndësi sigurisë së ndërtesave dhe jo shpejtësisë së ndërtimit të tyre.

*****

Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) ka njoftuar se të paktën 44.218 njerëz kanë humbur jetën në dy tërmete të fuqishme që goditën pjesën jugore të Türkiye-s më 6 shkurt, raporton Anadolu.

AFAD përmes një deklarate bëri të ditur se pas tërmeteve të fuqishme me epiqendër në provincën Kahramanmaraş u regjistruan gjithsej 9.136 pasgoditje.

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6, me qendër në Kahramanmaraş, goditën 10 provinca të tjera turke: Hatay, Gaziantep, Adıyaman, Diyarbakır, Adana, Kilis, Malatya, Osmaniye, Şanlıurfa dhe Elazığ. Rreth 13,5 milionë njerëz janë prekur nga lëkundjet shkatërruese.

Ekipet e AFAD-it në zonën e tërmetit ngritën rreth 335.400 tenda që u dërguan nga ministritë dhe institucionet përkatëse, si dhe vende të tjera dhe organizata ndërkombëtare.

Gjithashtu, bëhet e ditur se më shumë se 11.400 personel vendas dhe ndërkombëtar i kërkim-shpëtimit është duke punuar aktualisht në terren.

Katër qendra të lëvizshme të shërbimit social u caktuan për përpjekjet e mbështetjes psikologjike të fatkeqësive në Kahramanmaraş, Hatay, Osmaniye dhe Malatya, ku pothuajse 912.000 njerëz kanë marrë mbështetje psikosociale.