Shqipëri, vazhdon dërgimi i ndihmave drejt Türkiye-s për familjet e prekura nga tërmetet
Foto: Olsi Shehu/AA
Një tjetër kamion me ndihma të ndryshme është nisur sot nga Tirana drejt Türkiye-s, për familjet e prekura nga tërmetet shkatërrimtare, raporton Anadolu.
Gjatë nisjes së ndihmave të pranishëm ishin Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, drejtori i Institutit “Yunus Emre” – Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, zyrtarë të tjerë të institucioneve turke si dhe kryetari i Shoqatës së të Diplomuarve në Türkiye të Shqipërisë (TUMED), Egert Haxhiu.
Ndihmat janë mbledhur nga TUMED, me mbështetjen e bizneseve të ndryshme turke dhe shqiptare, Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve të tjera vendore, nën koordinimin e Ambasadës turke në Tiranë.
Ndihmat konsistojnë në gjeneratorë, batanije, rroba, materiale higjienike dhe materiale të tjera të ndryshme.
Nga Shqipëria drejt Türkiye-s janë nisur edhe më parë kamionë të tjerë me ndihma të mbledhura për familjet e prekura nga tërmetet në Türkiye.
Ndërkohë, në Shqipëri aktualisht vazhdon solidariteti i institucioneve, organizatave dhe qytetarëve për të mbështetur me ndihma në materiale të ndryshme dhe shuma në para familjet e prekura nga tërmetet në Türkiye.