Escobar: Asociacioni i komunave dhe anëtarsimi i Kosovës në Këshillin e Evropës janë të lidhura

Shpërndaje

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se Kosova dhe Serbia dështuan të përmbushin detyrimet që dalin nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve e vitit të kaluar, ndërsa paralajmëroi se kjo mund t’i kushtojë Kosovës me dështim në përpjekjet për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

“E di që ka shqetësime mes vendeve anëtare se Asociacioni dhe disa çështje që kanë të bëjnë me pakicën serbe, nuk janë përmbushur. Kjo është ajo që po nxit shqetësimin se Kosova mund të mos i ketë votat për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, tha zoti Escobar, duke thekuar se qëndrimi i Uashingtonit është se Kosova duhet të jetë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojmë të punojmë për këtë.

Sa i përket integrimit evropian, mendoj se është e rëndësishme për Kosovën që të dëgjojë partnerët e saj evropianë dhe të punojë me partnerët evropianë, teksa ne forcojmë kandidaturën e Kosovën për të gjitha strukturat euroatlantike”, theksoi zoti Escobar.

Më herët të mërkurën, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se nuk do të pranojë kushtëzimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit, duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ndodhë në Bruksel dhe jo në Strasbourg.

“Mendoj që janë shumë të lidhura. E para është se Këshilli i Evropës ka të bëjë me trajtimin e pakicave dhe Kosova ka bërë zotime të qarta për trajtimin e pakicave dhe kjo përfshinë edhe Asociacionin”, tha zoti Escobar, duke theksuar se ky përkushtim është pjesë e planit të Martti Ahtisaarit dhe marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

“E kemi të vështirë të kuptojmë përse Kosova nuk përmbushë detyrimet e saj ligjore dhe nuk ka dhënë shenja që është e gatshme ta bëjë këtë”, tha ai.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në përfundim të mandatit të tij, ai fajësoi Kosovën dhe Serbinë për mos përmbushjen e detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit e vitit të kaluar me të cilën palët u pajtuan për zbatimin e të gjitha elementeve të të zbatueshme.

“Për Kosovën, kjo nënkupton Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe për Serbinë të mos bllokojë rrugën e Kosovën drejt integrimeve euroatlantike dhe organizatat ndërkombëtare. Fatkeqësisht, dyja palët kanë dështuar ta respektojnë këtë angazhim, por besoj që kur t’i kthehemi kësaj marrëveshje, që përfshin shumë nga marrëveshjet e Brukselit, rajoni do të jetë në pozitë më të mirë dhe dyja vendet do të kenë një marrëdhënie të normalizuara, të parashikueshme dhe paqësore me njëra tjetrën”, tha ai./REL