Taravari: Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës! Gëzuar pesëmbëdhjetë vjetorin e Pavarësisë!
Sot u mbushën pesëmbëdhjetë vjet nga dita kur Republika e Kosovës e shpalli pavarësinë.
17 shkurti është një festë tashmë, por pothuajse si të gjitha festat, pavarësia u fitua me sakrifica të mëdha njerëzore, me flijime që ne do t’i kujtojmë me nderim dhe përulje. Do t’i kujtojmë jo vetëm për veprën dhe heroizmin e tyre, por do t’i kujtojmë sidomos si një leksion. Kurrë më dhe asnjëherë, në asnjë vend, nga asnjë komb, lufta nuk duhet të jetë opsion!
Gjithsesi këto 15 vjet Kosova ka përparuar shumë drejt zhvillimit dhe demokratizimit, duke tejkaluar edhe pritshmëritë e etërve të shtetit dhe aleatëve që bënë të mundur shpalljen e pavarësisë.
Kjo gjë fatkeqësisht nuk ka ndodhur me një pjesë të Serbisë politike, e cila e mbetur peng e obsesioneve të vjetra e të rrezikshme, vazhdon të sabotojë aq sa mundet shtetin e Kosovës.
Personalisht mendoj se të gjithë ne duhet të angazhohemi për të kuruar, pra të shërojmë Serbinë nga kjo politikë malinje e saj.
Kjo jo vetëm, sepse pengojnë zhvillimin e Kosovës, jo, por kjo edhe për të gjithë popullin serb i cili jam i sigurtë që është lodhur nga kjo politikë sa e vjetër, sa kriminale po aq edhe abuzive me ta. Dihet se nacionalizmi është një mantel i artë për politikanë të korruptuar, që duke vjedhur paratë e popullit i zëvendësojnë ato me nacionalizma.
Apeloj tek të gjithë krerët e partive politike në Maqedoninë e Veriut që të ulemi bashkë dhe të nxjerrim qëndrim të përbashkët në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi dhe kontributin tonë drejt një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme.
Me njohjen reciproke, ne kërkojmë zgjidhjen ideale për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon. Është urgjente që partitë politike në Maqedoninë e Veriut të kenë pozicione të qarta për dy mekanizmat kryesore të bashkëpunimit rajonal – Procesi i Berlin dhe Ballkani i Hapur – Kjo pjesëmarrje duhet të jetë në funksion të promovimit të barabartësisë të gjashtë shteteve të rajonit si vende të pavarura dhe sovrane.
E për ta mbyllur, dua të them se bota ka provuar shpesh herë që di të jetë një dhe e bashkuar. Le të jemi të gjithë bashkë për të dhënë zgjidhje demokratike që i shkojnë për shtat shekullit tonë.
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës! Gëzuar pesëmbëdhjetë vjetorin e Pavarësisë!