Lëvizja BESA: Pavarësia e Kosovës realitet i pa kthyeshëm – Urime 15 vjetorin!

Shpërndaje

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Përpjekjet politike paqësore të popullit të Kosovës kanë nisur shumë më herët, fillimisht duke e aktualizuar çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke informuar botën se këtu shqiptarët nuk gëzojnë asnjë të drejtë edhe për të fituar përkrahjen e tyre. Liderët e Kosovës me mençurinë e tyre dhe kontributin e secilit arritën që për disa vite të krijojnë sistemin paralel të shtetit. Prej këtu nisën të vihen bazat e shtetit të Kosovës.

Kthesa më e madhe historike ndodhi me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila kishte mbështetje nga gjithë shqiptarët dhe nga shtetet më të fuqishme përfshi edhe SHBA. Pas një lufte të pabarabartë dhe të padrejtë UÇK-ja, e përkrahur nga NATO arriti të triumfojë dhe të nis epokën e re atë të shtet formimit. Përfundimisht më 17 shkurt të vitit 2008 Kuvendi i Kosovës shpalli Kosovën shtet të Pavarur e cila sot gëzon njohjen e më shumë se 100 shteteve. Kjo ngjarje është e një rëndësie të veçantë, ku edhe konsiderohet si një pikë kthese në historinë tonë shqiptare të lavdishme.

Andaj Lëvizja BESA shprehëm respektin dhe admirimin për shtetin e Kosovës dhe qytetarët që jetojnë atje në këtë ditë të çmuar për gjithë shqiptarët. Kosova sot në botë shërben si model i shtetit më demokratik ku të drejtat dhe liritë e qytetarëve respektohen në çdo segment të jetës. Në këtë përvjetor janë shtuar përpjekjet ndërkombëtare që Kosova përfundimisht të bëhet pjesë e mekanizmave ndërkombëtare si NATO, BE, dhe OKB.

Pavarësia e Kosovës është realitet i pa kthyeshëm i njohur nga shumë shtete të botës. Do ta kujtojmë çdoherë si një datë të rëndësishme që u shkrua me shkronja të arta në historinë tonë.

Urime pavarësinë e Kosovës!

Lëvizja BESA
17.02.2023