Ahmeti sot nis procesin e shkarkimit të “Grupit të zjarri” nga organet e partisë
TV21 nga burime të tij mëson se sot është caktuar mbledhje e Këshillit Mbikëqyrës me në krye Ali Ahmetin. Edhe pse kryetari i këtij Këshilli është Musa Xhaferi, siç mëson TV21, ai nuk do të jetë prezent në mbledhjen e sotme të Këshillit, por do të jenë vetëm anëtarët e të njëjtit.
Pritet që Këshilli Mbikëqyrës ta informojë kryetarin Ahmeti për shkeljet statutore të partisë që janë bërë nga “Grupi i zjarrit”. Si rrjedhojë, sipas informacioneve ende të pakonfirmuara, në bazë të këtij raporti të Këshillit Mbikëqyrës, Ahmeti do të nis procesin e shkarkimit të të pakënaqurve në BDI, përkatësisht “Grupin e zjarrit”.
TV21 gjithashtu mëson se sot në selinë e BDI-së në Reçicë të Vogël, në takim me kryetarin Ahmeti është ftuar edhe Dega e Sarajit.
Mbetet të shihet se si do të rrjedhë ky proces i shkarkimeve për të cilin do të vendosë Ali Ahmeti, por me sa duket “Grupi i zjarrit” po e pret një vendim të tillë, andaj mësohet se ka shumë gjasa që të dalë me subjekt të ri politik.
Vlen të rikujtohet se për të shtunën tashmë është caktuar mbledhja e Kryesisë së BDI-së.
Për më shumë detaje do të ju informojmë gjatë ditës…