Tragjedia në Tetovë, Zaev thotë se deri nesër do të vendosë për dorëheqjet

Shpërndaje

Kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se gjatë ditës së sotme ose më së voni nesër do të japë komentin e tij për raportin e publikuar nga ekspertiza për zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë.

Me këtë ai edhe do të vendosë për dorëheqjet që u dorëzuan pas ngjarjes tragjike, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Me të vërtetë për herë të parë dëgjoj për raportin e publikuar, sipas gjitha gjasave tashmë kemi qenë në konferencë për media kur ajo është publikuar. Më lejoni që ta lexoj raportin, të shoh gjithçka që është publikuar, që të mundem t’i jap reagimet e mia dhe menjëherë gjatë ditës ose më së voni nesër të jap komentin tim për këtë”, deklaroi Zaevi, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në konferencë për media në qeveri.

I pyetur, se çka kjo do të nënkuptojë konkretisht për dorëheqjet e ofruara, tha se menjëherë, pasi do t’i di të gjitha informacionet për atë që është publikuar, do ta thotë edhe qëndrimin e tij për dorëheqjet të ministrit dhe të zëvendësministrit të Shëndetësisë.

Zaevi, i falënderoi institucionet të cilat i publikojnë raportet, sepse, siç tha, qytetarët i presin.

“Kjo është më e rëndësishmja, vetë raportet duhet të përfundojnë në mënyrë profesionale dhe me kohë dhe secili informacion që jep përgjigje plotësuese për popullin tonë, familjet e bashkëqytetarëve tanë të vdekur është përgjegjësi e institucioneve”, theksoi Zaevi.

Paraprakisht sot, Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, informoi se në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë është dorëzuar Raporti nga ekspertiza e bërë e gjurmëve nga zjarri në Spitalin Modular në Tetovë, i përgatitur nga Departamenti për Hetime dhe Ekspertiza Kriminalistike – Teknike pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Me ekspertizën konfirmohet se zjarri u shkaktua si pasojë e një lidhje të shkurtër elektrike përmes rezistencës së lartë kalimtare në kabllon e kyçur në defibrilator me të cilin është kryer reanimacioni i pacientit në njërën prej dhomave të spitalit. Ngrohja e kabllos shkaktoi djegie në kutinë e kyçjes nga kabllo vazhdues në të cilin ishin të lidhur defibrilatori, mbushësi i telefonit dhe edhe një aparat”, theksojnë nga Prokuroria Publike.