Konjufca: Familja Jashari në mbrojtje të pragut të shtëpisë, dinjitetit dhe kombëtarisë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka shkruar se sot e 25 vjet më parë, në Prekazin e bacës Shaban, në mbrojtje të pragut të shtëpisë, dinjitetit dhe kombëtarisë, një familje shqiptare – burra e gra, i madh e i vogël – me guximin mbinjerëzor po luftonte kundër një shteti të tërë – Serbisë agresore.
“Aty, më 5, 6 e 7 mars 1998, po shkruhej me shkronja gjaku vepra madhore – Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me Komandantin Adem Jashari. Në historinë e një populli nuk ka ngjarje më të rëndësishme sesa lufta për çlirim. Në jetën e një populli nuk ka qëllim më të lartë dhe asgjë më të shtrenjtë sesa liria. Aspirata e popullit tonë ka kaluar nëpër një varg përpjekjesh, luftërash e sakrificash shekullore. Një rrugë e gjatë brezash, e stërmundimshme dhe plot e përplot dhimbje deri te Republika e pavarur dhe sovrane. Aty ku nisi rruga e lirisë, nis Epopeja e lavdisë, themeli i pavarësisë dhe kujtimi i përjetësisë. Nuk do të vdesë kurrë kujtimi i Komandantit legjendar Adem Jashari, Familjes emblematike Jashari dhe dëshmorëve të lirisë”, shkruan Konjufca në Facebook.
Kryeparlamentari Konjufca mori pjesë në ceremoninë e rreshtimit të njësive ushtarake të FSK-së në kuadër të aktiviteteve për shënimin 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që u mbajt sot në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.