Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës pranoi dosjet e para për krimet e luftës

Shpërndaje

Në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), u bë pranimi i dokumenteve të para në IKKL. Dëshmitë lidhur me krimet e zhdukjes me dhunë gjatë luftës nga Serbia u dorëzuan nga Kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës (KKAFZHK), Ahmet Grajçevci.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se dokumentimi i krimeve të luftës ndihmon që të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe paqësore, në të njëjtën kohë shërben si një dëshmi e rëndësishme për brezat e ardhshëm.

“Themelimi dhe funksionalizimi i këtij Instituti ka për qëllim dokumentimin e krimeve të luftës së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia. Ky është një nga obligimet e shumta që po përmbushet ndaj kujtimeve tona si popull dhe kërkesës tashmë të shumë viteve për drejtësi”, tha kryeministri Kurti.

“Qëllimin e kemi të përbashkët, për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive”, tha Kryeministri Kurti.

Ai ftoi të gjithë që të bashkohen në nismën për mbledhjen e materialeve dhe dëshmive për krimet e kryera gjatë luftës, të cilat do të arkivohen tek Instituti dhe do t’i shërbejnë këtij instituti për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Këtë thirrje Kryeministri ua drejtoi dokumentuesve, hulumtuesve, shoqërisë civile, ekspertëve të jashtëm, gazetarëve e në përgjithësi të gjithë qytetarëve të vendit.

Kryeministri Kurti, falënderoi Kryetarin e Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Ahmet Grajçevcin dhe asociacionet e familjarëve të të zhdukurve për angazhimin e tyre ndër vite, për dokumentimin e krimeve të zhdukjeve me dhunë nga Serbia.

Instituti është pikë grumbullimi e dëshmive të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, dhe qendër ku të gjithë mund të japin kontributin e tyre për të vërtetën historike, drejtësinë dhe paqen, tha Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi.

Ndërsa kryetari i KKAFZHK u shpreh i lumtur me funksionalizimin e IKKL-së dhe shprehu gatishmëri për bashkëpunim të vazhdueshëm.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të dashur qytetarë të Republikës,

Të nderuar përfaqësues të medieve,

Zonja dhe zotërinj,

Jemi në hapësirën e Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me Drejtorin Ekzekutiv, Atdhe Hetemi, dhe me Kryetarin e Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Ahmet Grajçevci, për ceremoninë e pranim dorëzimit të dokumenteve të para në këtë institut.

E falënderoj z. Grajçevcin dhe asociacionet e familjarëve të të zhdukurve për angazhimin dhe rolin e tyre ndër vite, për dokumentimin e krimeve të zhdukjeve me dhunë nga Serbia.

Ky vit shënon 26-vjetorin e një ndër kapitujve më të dhimbshëm në historinë tonë: krimet e kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Por, në anën tjetër, po këtë vit, edhe festojmë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë sonë, të arritur me mund e sakrifica, si një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe fuqisë së rezistencës së popullit tonë.

Ne po angazhohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi që të adresojmë gjithë atë çfarë ka ndodhur gjatë luftës së fundit në vendin tonë.

Për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë, kemi themeluar Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Funksionalizimi i këtij instituti është një obligim që po përmbushet ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi.

Krahas institucioneve shtetërore, nga sot, dokumentuesit dhe hulumtuesit e pavarur, shoqëria civile, ekspertët e jashtëm, mediat, gazetarët e të gjithë qytetarët kanë Institutin që i pret materialet e dëshmitë e mbledhura. Këto materiale do të arkivohen dhe do t’i shërbejnë Institutit në hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës, e kështu që sot ju ftoj që të gjithëve të bashkoheni në këtë nismë shumë të rëndësishme.

Qëllimin e kemi të përbashkët, për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive. Dokumentimi i krimeve të luftës ndihmon në parandalimin e përsëritjes së tyre në të ardhmen. Na ndihmon të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, më paqësore, e po ashtu shërben si një dëshmi e rëndësishme për brezat e ardhshëm të cilët do të vijnë pas nesh.

Përgëzoj drejtorin Atdhe Hetemi, përgëzoj kryetarin Ahmet Grajçevci dhe gëzuar e urime festa e pavarësisë së Kosovës, 17 shkurti.