Kurti: Marrëveshja është dashur që të nisë së zbatuari qysh dje – ndërkombëtarët ta dënojnë sjelljen e Serbisë

Shpërndaje

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është shprehur se zbatimi i marrëveshjes së arritur më 18 mars në Ohër me Serbinë, është dashur që të nisë nga e hëna.

Kjo pasi sipas Kurtit, plani i zbatimit thotë që nuk ka një afat në të ardhmen se kur duhet të fillojë zbatimi i kësaj marrëveshje, teksa iu bëri thirrje ndërkombëtarëve që ta dënojnë sjelljen e Serbisë.

“Edhe marrëveshjen bazë, edhe planin e zbatimit tashmë i kemi dakorduara. Për ne, kjo është marrëveshje por unë pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë e ta dënojnë sjelljen e Serbisë, e cila kur zhvillohen takime thonë se ‘nuk nënshkruaj’, e ndërmjet takimeve thotë se ‘nuk zbatoj gjë’”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.

Tutje, Kurti tha se Serbia nuk mund të flasë se si kurrë nuk do ta njeh Kosovën, pasi siç shtoi, marrëveshja bazë është njohje ‘de-facto’, teksa theksoi se ai është i vetmi në takime që bën propozime.

“Unë jam i vetmi në këto takimet e Brukselit që bëj propozime. Pala tjetër me të cilën negociojë, nuk bënë propozime. Unë bëjë propozime e oferta që refuzohen, e në fund merremi vesh, ama ata nuk nënshkruajnë. Kjo është çështja themelore, e për të tjerat me ndërmjetësit evropianë do të jemi në kontakt të vazhdueshëm”.

“Me partnerët amerikanë jemi në komunikim të vazhdueshëm, e do të duhej që atë formulimin e vetëmenaxhimit të komunitetit serb, të adresojmë çështjet që na paskan ngelur pa u përmbushur dhe për ne bëhet fjalë për një formulim i cili i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare, sipas Këshillit të Evropës”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.