Uniformat e policisë, Ahmeti barazi gjuhësore konform marrëveshjes së Ohrit

Shpërndaje

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut ka nisur të zbatojë uniformat dygjuhësore, duke përdorur edhe gjuhën shqipe në emblema apo në shënimet e automjeteve të policisë.

Me këtë hyn në zbatim Neni 8, paragrafi 3 i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i miratuar në vitin 2017, i cili thotë: “Uniformat e policisë; të zjarrfikësve; të shëndetësisë; në Shkup dhe në komunat në të cilat së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase janë të shkruara në gjuhën maqedonas e dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% të qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe alfabetin e saj.”

Ky ligj u soll pas një procesi të vështirë negociatash që lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, zhvilloi me dy partitë maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM, që pretendonin të formonin qeverinë menjëherë pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit 2016. Në vitin 2001 ai drejtoi UÇK-në, një organizatë që kërkonte barazi për shqiptarët etnikë në Maqedoninë e Veriut. Nga Marrëveshja e Ohrit, që solli paqen dhe vendosi themelet e barazisë etnike, doli edhe Ligji i përdorimit të gjuhëve, me të cilin realisht u zyrtarizua gjuha shqipe.

Sot, kur kjo gjuhë filloi të zbatohet edhe në uniformat e policisë, me një status në Facebook u deklarua edhe Ahmeti: “Një tjetër premtim i realizuar, reflektim praktik i vlerës së instaluar të barazisë përmes Marrëveshjes së Ohrit.”

Më tej Ahmeti shkruan: “Në uniformat e shërbimeve policore të vendit dhe në simbolet e tyre tashmë qëndron edhe gjuha shqipe konform dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.”

“Përgëzoj Qeverinë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të vendit për rrumbullakësimin me sukses të të gjitha procedurave administrativo – ligjore dhe vendosjen në praktikë të ndryshimeve të Dekretit të miratuara më parë.”, përfundon postimin Ahmeti.