MaqedoniTop Lajme

Universiteti i Tetovës organizoi akademi përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së profesor Milaim Fejziut

Shpërndaje

Më 7 Mars – Ditën e Mësuesit, Universiteti i Tetovës organizoi akademi përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së Prof. Milaim Fejziut, kryetarit të parë të Senatit të Universitetit të Tetovës. Në këtë ngjarje të pranishëm ishin një numër i konsiderueshëm intelektualësh, duke filluar nga iniciatorët dhe nismëtarët për themelimin e Universitetit të Tetovës, veprimtarë të shquar, veteranë të arsimit, profesorë dhe studentë.

Kryetari i Senatit i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti u shpreh se ndjehet i nderuar që t’i përshëndesë dhe t’u urojë mirëseardhje pjesëmarrësve në këtë akademi përkujtimore kushtuar profesor Milaim Fejziut, njërit prej themeluesve të Universitetit të Tetovës dhe kryetarit të parë të Senatit të këtij institucioni të arsimit të lartë në gjuhën shqipe. “Organizimi i kësaj akademie në ambientet e Universitetit tonë besojmë të shërbejë si një pikënisje e shlyerjes së detyrimeve tona ndaj personaliteteve të shquara të nivelit të profesor Milaim Fejziut dhe ndaj shumë figurave të tjera që e mbajtën gjallë frymën e organizimeve të mëdha në shërbim të realizimit të aspiratave tona. Veprimtaria e tij është shumë e gjerë, po me lejoni të veçoj pjesëmarrjen e profesor Fejziut në Lubjanë, në maj të vitit 1990, kushtuar çështjes së Kosovës, ku takoi shumë personalitete nga Kosova, Sllovenia dhe diaspora shqiptare, ku edhe lindi ideja për themelimin e një organizate joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Maqedoninë e asaj kohe. Pas kthimit nga Sllovenia, kontaktoi me disa intelektualë të njohur nga Tetova dhe Gostivari, i njoftoi ata me idenë dhe menjëherë e formuan grupin nismëtarë i cili e përgatiti dokumentacionin e nevojshëm për themelimin e organizatës së sipërpërmendur. Në korrik të vitit 1990, e mbajtën Kuvendin themelues dhe e formuan organizatën Forumi Demokratik për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Maqedoni, me seli në qytetin e Gostivarit. Në kuvendin themelues profesor Milaim Fejziu u zgjodh kryetar. Pas zgjedhjes në këtë detyrë u angazhua fuqishëm, zhvilloi një agjendë të ngjeshur në mbrojtje dhe sensibilizimin e opinionit vendas e sidomos atij ndërkombëtar për të drejtat e mohuara dhe diskriminimin sistematik që ushtrohej ndaj shqiptarëve në Maqedoni”- theksoi, kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ai më tej vuri në dukje se organizata që Prof. Milaim Fjeziu e drejtonte kishte evidentuar një mori shkeljesh të drejtash ndaj shqiptarëve në këto treva, por ekipi i forumit me në krye profesorin Fejziun vlerësuan se vetëm duke e fituar të drejtën për arsim sipëror në gjuhën amtare, do të zgjidheshin gradualisht edhe çështjet tjera. “Në vitin 1994, kontributi i tij ka qenë jetik në themelimin dhe funksionimin e Universitetit të Tetovës dhe bashkë me Rektorin Prof. Dr. Fadil Sulejmanin udhëhoqën dhe koordinuan aktivitete të panumërta në shërbim të kauzës sonë, për arsimin e lartë në gjuhën shqipe dhe për realizimin e aspiratave të shqiptarëve në këto troje, por dhe më gjerë. Qeveria e kohës refuzoi ta njohë Universitetin e Tetovës dhe e përdori tërë arsenalin për ngulfatjen e këtij institucioni universitar duke ndërmarrë edhe hapat më arbitrarë, arrestimin dhe dënimin me burg të profesor Milaim Fejziut së bashku me rektorin Prof. Dr. Fadil Sulejmanin dhe bashkëpunëtorët e tyre, si: profesor Musli Halimin, profesor Nevzat Halilin dhe veprimtarin Arben Rusi. Pas vuajtjes së dënimit me burg, kthehet në Universitetin e Tetovës dhe vijoi ta drejtojë organin më të lartë – Senatin e UT-së për dy mandate, më saktësisht deri në vitin 2002. Roli dhe rëndësia e profesor Milaim Fejziut është përjetësuar në historinë më të re të popullit shqiptar. Për të gjitha këto dhe shumë vlera të tjera, kryetari i parë i Senatit të Universitetit tonë gëzon respekt të përhershëm nga të gjithë bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë, duke e radhitur atë në mesin e personaliteteve të shquar. Veprimtaria e tij ka qenë dhe do të mbetet udhërrëfyese se si një intelektual angazhohet për t’i shërbyer realizimit të objektivave madhore. Ne sot, përtej organizimit të kësaj akademie përkujtimore, përulemi me nderim para veprës së profesor Milaim Fejziut, para vuajtjeve të të burgosurve shqiptarë, ndaj të gjithëve u shprehim nga zemra mirënjohjen e përjetshme dhe falënderimin e thellë për vendosmërinë dhe misionin titanik në shërbim të avancimit të kauzës sonë kombëtare” – deklaroi, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Referatin kryesor për kryetarin e parë të Senatit të Universitetit të Tetovës, Prof. Milaim Fejziun e paraqiti profesoresha Prof. Dr. Myqereme Rusi. Ajo tha se me mikun e nderuar, Milaim Fejziun i bashkoi ideja për themelimin e këtij institucioni. Sipas saj, ishin të detyruar që të drejtën e tyre për arsimim ta jetësojnë me shumë sakrifica, maltretime, ndjekje, arrestime, vrasje dhe shumë përjetime të paharruara që lanë gjurmë të thella në qindra familje shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe të atyre që jetojnë në diasporë. “Në këtë kalvar të përjetuar për themelimin dhe zyrtarizmin e Universitetit të Tetovës për një kohë tetëvjeçare u përfshi krejt kombi shqiptar, për arsye se kishte nevojë jetike për këtë institucion. Gjatë këtij rrugëtimi kohor janë disa personalitete që u ballafaquan të parët me vështirësi që u krijuan nga pala që donte të vazhdojë me errësirën qindravjeçare, për pengesat e zhvillimit arsimor, për edukim, art , kulturë, shkencë dhe heqjen e tabuve dhe përparimin e popullit. Ndër ata personalitete ishte edhe profesor Milaim Fejziu. Profesor Milaim Fejziu ishte kryetar i Forumit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe pa hamendje iu bashkua grupit iniciues për themelimin e Universitetit të Tetovës, si dhe ishte nënshkrues i aktit të themelimit të tij. Nga përvoja institucionale që kishte dha një kontribut të jashtëzakonshëm në jetësimin e këtij projekti. Profesor Milaim Fejziu, bashkë me veprimtarë të tjerë filluan sensibilizimin dhe afirmimin ndërkombëtar të këtij projekti. Ai u zgjodh kryetari i parë Senatit të këtij institucioni. Me përvojën institucionale që kishte diti të menaxhojë dhe balancojë të gjitha veprimet për të funksionuar ky universitet, kundrejt të gjitha kontradiktave që paraqiteshin qoftë nga pushteti apo për brenda këtij institucioni. Profesor Milaim Fejziu kishte karizëm të një intelektuali të guximshëm me karakter të qëndrueshëm. Kishte bujari, urtësi, i hapur për të gjithë, komunikues, secilin e dëgjonte me vëmendje qoftë student apo profesor, ndante kohë për të gjithë, i përkushtuar tej mase për t’i arritur qëllimet e caktuara. Ai e donte popullin shqiptar, por njëkohësisht e donte edhe Universitetin”, tha mes tjerash Prof. Dr. Myqereme Rusi.
Si shumë intelektualë të tjerë shqiptarë, të cilët ideal e kishin përparimin e kombit, profesor Milaim Fejziu punoi pareshtur deri në frymën e fundit për avancimin e proceseve të përgjithshme në mbarë trevat shqiptare.