BE: Kurti dhe Vuçiq konfirmuan pjesëmarrjen më 2 maj në Bruksel
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, do të thërrasë një takim të nivelit të lartë në Bruksel si pjesë e Dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit më 2 maj, transmeton Anadolu.
Siç njofton BE, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në këtë takim.
Borrell, me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë një takim të përbashkët me liderët duke filluar nga ora 18:00, derisa bëhet e ditur se takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Palët pritet të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi/diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Palët do të kenë gjithashtu mundësinë të diskutojnë çështje aktuale me rëndësi politike”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Borrell do të bëjë një deklaratë për media në fund të takimit në ndërtesën e Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian (EEAS), e cila do të transmetohet edhe drejtpërdrejtë nga faqja zyrtare Europe by Satellite.
Takimi në Bruksel pritet të mbahet në një kohë kur presidentja kosovare Vjosa Osmani ka kërkuar nga BE-ja dhe aleatët tjerë të Kosovës t’i bëjnë presion Serbisë që të respektojë obligimet që ka marrë nga Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve.
Presidentja Osmani tha se Serbia me veprimet e fundit ka bërë “shkelje flagrante” të dy neneve të Marrëveshjes drejt normalizimit, që u arrit në fund të shkurtit në Bruksel, dhe të aneksit të saj, që u arrit një muaj më vonë në Ohër dhe e cila synon të çojë palët drejt normalizimit të plotë të raporteve.