Cramon: Zgjedhjet në veri ishin në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon deklaroi sot se zgjedhjet në veri ishin në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.
Cramon potencoi se bojkoti i orkestruar nga qeveria serbe në Beograd, si dhe frikësimi i liderëve politikë serbë të opozitës, janë të papranueshme dhe bien ndesh me standardet demokratike.
Ajo u shpreh se retorika që vjen nga instancat më të larta të Serbisë ndaj zyrtarëve kosovarë është e mjerueshme dhe duhet të ndalet.
Cramon theksoi se kthimi i përhershëm i serbëve të Kosovës në institucione duhet të lehtësohet tani dhe qeveria e Kosovës duhet ta mundësojë këtë kthim. Sipas saj, puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Më vjen thellësisht keq që forca kryesore politike në veri të Kosovës, Lista Serbe, ka refuzuar të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe dënoj ashpër frikësimin e të gjithë atyre që kanë dashur të kandidojnë apo të votojnë të dielën. Vakumi aktual institucional dhe i sigurisë duhet të zgjidhet duke u angazhuar me komunitetin lokal në veri të Kosovës.”, deklaroi ajo.
Cramon nënvizoi se BE-ja do të punojë ngushtë me të gjitha palët relevante për të rivendosur sigurinë dhe jetën normale për të gjithë qytetarët në këto komuna.
“Kështu, puna e EULEX-it, KFOR-it dhe PK-së doli të jetë e duhur dhe i përgëzoj përzemërsisht për angazhimin e tyre.”, shtoi ajo.
Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), në Mitrovicën e Veriut ka fituar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq me 519 vota apo 66.5 për qind, pasuar nga kandidati i PDK-së, Taulant Kelmendi me 186 vota apo 23.8 për qind, kurse Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica ka marrë 75 vota apo 9.6 për qind. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar po ashtu në komunën e Leposaviqit me kandidatin Lulzim Hetemi, i cili ka marrë 100 vota apo 73.5 për qind, pasuar nga kandidatja e PDK-së, Albulena Behluli-Hetemi që ka marrë 34 vota apo 25 për qind.
Ndërkaq, në dy komunat të tjera, Zubin Potok dhe Zveçan, sipas të dhënave të KQZ-së ka fituar Partia Demokratike.
Në Zubin Potok ka fituar kandidati i PDK-së, Izmir Zeqiri me 196 vota apo 52.1 për qind, kurse kundër kandidati i tij nga LVV, Flatron Hasani ka marrë 180 vota apo 47.9 për qind.
Në anën tjetër, Ilir Peci nga PDK-ja ka fituar 114 vota në Zveçan apo 60.0 për qind, pasuar nga kandidati i LVV-së, Lulzim Peci me 71 vota apo 37.4 për qind.
Në këto rezultate nuk janë të përfshirë votat me kusht. Në zgjedhjet e djeshme në katër komunat veriore kanë marrë pjesë 1567 qytetarë apo 3.47 për qind, nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote./KosovaPress/