Gjykata e Apelit i “shpëton” organizatorët e 27 prillit

Shpërndaje

Organizatorët e të enjtes së përgjakshme, përkatësisht 27 prillit nuk arritën të shpëtohen nga pushteti ligjvënës përmes ligjit për amnisti – por megjithatë, ka rrezik që pas vendimit të djeshëm të Apelit për shfuqizim të aktgjykimit të shkallës së parë, Trajko Veljanovski, Mile Janakievski, Spiro Ristovski dhe Vlladimir Atanasov të shpëtojnë përmes mënyrës tashmë të njohur të vjetërsimit të lëndës
Pas më shumë se një viti shqyrtim, njoftimi i Apelit për kthimin e lëndës në rigjykim me arsyetimin e shkeljeve të rënda të procedurës penale nga gjykata Penale, nxiti reagim të ashpër të gjykatës së shkallës së parë, sipas së cilës, Apeli është dashur të vendosë menjëherë në mënyrë që të parandalohet mundësia e vjetërsimit.

“Nëse arsyeja për shfuqizimin e aktgjykimit është e natyrës teknike, përkatësisht ndryshimet në Ligjin për amnisti, atëherë gjykata ka mund që menjëherë të merr vendim, para së gjithash për mbrojtje të të drejtave të të akuzuarve të cilët ishin në paraburgim dhe nën masa, të drejtave të të dëmtuarve të cilët janë në pritje të vendimit përfundimtar por edhe për të mbrojtur vetë procedurën e cila mund të vjetërsohet. Duhet të kihet parasysh se me anulimin e aktgjykimit dhe kthimin e saj në rigjykim, bëhen harxhime shtesë, zvarritje dhe rrezikim që procedura të merr epilog në një afat të arsyeshëm”, thonë nga Gjykata Penale, Shkup.

Përveç kësaj, Penalja i “rikujtoi” Apelit se kanë mundësi që në vend të anulimit të aktgjykimeve, të marrin vendime meritore, gjë që sipas tyre, do të kontribuonte në luftën me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Penalja ashpër ju kundërpërgjigj edhe ministrit të Drejtësisë, i cili përmes një kumtese i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor që të hetojë në qoftë se lëshimet e shkallës së parë janë të qëllimshme apo jo dhe më pas, të vijojnë procedura disiplinore. Penalja i bëri thirrje ministrit Krenar Lloga të kursehet nga deklaratat e shpejtuara, të paverifikuara dhe të dëmshme.

“Në lidhje me komentet publike, para së gjithash nga ministri i drejtësisë, apelojmë të ketë kujdes me deklaratat e shpejtuara, të pa verifikuara dhe të dëmshme të cilat nuk i ndihmojnë gjyqësorit dhe gjykatësve në drejtim të ndërtimit të reputacionit respaktabil në shoqëri, përkundrazi e degradojnë pavarësinë dhe paanshmërinë. Është e habitshme se si këto kritika “me qëllim të mirë” nuk vijnë në kohë kur seancat mbahen para syve të opinionit por pasi Gjykata e Apelit, pas më shumë se 1 viti pritje, merr vendim”, njoftojnë nga Gjykata Penale, Shkup.

Rikujtojmë që për veprën penale të kërcënimit terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë këta organizatorë u shpallën fajtorë me gjithsej 25 vjet burg. Në hetim fillimisht u përfshi edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish-zyrtari i inteligjencës Nikolla Boshkovski por procedura për ta u ndal derisa të viheshin në dispozicion të organeve.

Kjo nuk është lënda e vetme me interes të lartë të opinionit që Apeli vendosë ta shfuqizojë. Fatin e njëjtë e pati edhe lënda për përgjimin masiv “Target Fortesa”, “Thesari” që ka të bëje me porositjen e mjeteve britanike për përgjim të komunikimeve dhe “Titanik 2”. /Alsat.mk