Gjykata ia cakton një muaj paraburgim Kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit i i cili po dyshohet për tri vepra penale korruptive.
Seanca dëgjimore ndaj Krasniqit është mbajtur sot në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, ditën e sotme, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krasniqit.
Nagip Krasniqit, si drejtor i Koroporatës Energjetike të Kosovës (KEK), u arrestua të mërkurën, nën dyshimin për kryerjen e tri veprave penale, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”.
Krimet Ekonomike bastisën zyrën e Krasniqit në Prishtinë, si dhe dy banesa në pronësi të tij, ku kanë sekuestruar dokumente të ndryshme që lidhen me rastin.
Njoftimi i plotë i gjykatës:
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale për të pandehurin N.K për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, Ushtrimi i ndikimit nga neni 424 paragrafi 1 i KPRK-së, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe Konflikti i interesit nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtarja e Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin N.K e ka aprovuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Foto: Ekonomiaonline